Lidhje

Nënshkruhet marrëveshja Berisha - Pollo për pjesëmarrje në qeveri


Partia Demokratike nënshkroi sot në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Demokrate të Re, në vazhdim të negociatave për ndërtimin e qeverisë së re të koalicionit të djathtë.

Marrëveshja, që u nënshkrua nga zotërinjtë Sali Berisha dhe Genc Pollo, dikur një kundërshtar i rreptë i kryetarit brenda në PD, e parashikon këtë fundit në postin e ministrit të arsimit, si edhe një bashkëpunim afatgjatë mes forcave të tyre politike.

Marrëveshja vendos gjithashtu një bashkëpunim të ngushtë politik për zgjedhjet vendore 2006 dhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në vitin 2007, po ashtu edhe për çështje që lidhen me reformën zgjedhore. Kjo është marrëveshja e pestë që Partia Demokratike nënshkruan me aleatët pas atyre me Partinë Republikane, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partinë Agrare Ambientaliste, Partia Bashkimi Liberal, dhe duket se është hapi i fundit i konsultimeve për qeverinë e re, që pritet të drejtohet nga zoti Sali Berisha, ndërkohë që vazhdojnë edhe disa ditë spekullimet në shtypin vendas për emrat e ministrave në poste kyçe të kabinetit qeveritar.

Partitë politike janë duke i kushtuar një vëmendje të pazakontë përsëritjes së votimeve në 3 zona në Shkodër, Lushnje dhe Gjirokastër. Drejtuesit më të lartë të forcave kryesore kanë rinisur në këto zona edhe një fushatë tjetër zgjedhore me tubime militantësh.

Interesimi jo i vogël për 3 zonat, si dhe gjykimi i një mandati të katërt nga Kolegji Zgjedhor të hënën, të nesërmen e 21 gushtit, ka përfshirë partitë më të mëdha politike si një përpjekje e fundit për të ndryshuar sadopak rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme; njëra për ta thelluar diferencën dhe tjetra për ta ngushtuar sa më shumë, në mënyrë që të arrijë të ketë një pakicë bllokuese për ligjet e rëndësishme në parlamentin e ri.

Nga ana tjetër vëzhguesit ndërkombëtarë njoftuan një prani të shtuar të tyre në qendrat e votimit të këtyre 3 zonave, duke bërë kështu të ditur se nuk e kanë humbur vëmendjen ndaj cilësisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor shqiptar.

Në pritje të votimeve të 21 gushtit, për afro një muaj e gjysëm raporti i tyre mbi vëzhgimin e zgjedhjeve shqiptare ka mbetur i papërfunduar, po ashtu si edhe vendimi mbi rezultatet zyrtare të KQZ, që nuk po mund t’i hapin rrugën ligjore Presidentit të Republikës për mbledhjen e parlamentit të ri.

XS
SM
MD
LG