Lidhje

Shqipëri: Përsëriten votimet në tre zona elektorale


Të djelën në Shqipëri u zhvilluan votimet e përsëritura të zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut në tre zona elektorale pas problemeve që pati me rezultatin e tyre të debatueshëm

Kështu, votimet në zonën 90 të Gjirokastrës, siç e parashikon kodi zgjedhor, u mbyllën në orën 19. Në këtë zonë u rivotua për kantidatin e Partisë Demokratike, Genc Ruli, dhe kantidaten e Partisë Socialiste Makbule Çeco. Burime paraprake nga komisioni zonal në Gjirokastër flasin për një prani të ulet të zgjedhësve në qendrat e votimit në qytet.

Kështu vlerësohet se rreth 40 % e votuesve kanë marrë pjesë në proces ndryshe nga e diela e tre korrikut, kur pjesëmarrja ishte në shifrat e 65 përqindëve. Ndërkaq pjesëmarrje më e lartë, po sipas burimeve paraprake të Komisionit Zonal, është shënuar në zonën rurale, ku vlerësohet se morën pjesë në votime mbi 60 % e zgjedhësve.

Policia e Gjirokastrës tha rreth 20:00 se kishte arrestuar në flagrancë shtetasin Gjolekë Malaj “për veprën penale godije për shkak të detyrës”. Malaj së bashku me një grup prej tre personash të tjerë goditi të djelën, duke i shkaktuar plagë në trup dhe fytyrë, analisitin, Mero Baze, dhe kryeradaktorin e gazetës “Rilindja Demokratike” dhe deputet i porsazgjedhur në Parlamentin shqiptar, Astrit Patozi.

Policia e Gjirokastrës tha gjithashtu se katër policë janë pezulluar nga detyra. Të katër policët, sipas dëshmisë së zotit Baze, ishin të pranishëm në incident, por nuk bënë asnjë përpjekje për të ndaluar keqtrajtimin e gazetarëve nga grupi i personave.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës përmes telefonit me zotin Baze, para se të nisej urgjent me helikopter nga Gjirokastra për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ai tha se i ka njohur dy prej sulmuesve. Sipas zotit Baze, njëri është nipi i Sekretarit të Partisë Socaliste, Gramoz Ruci, kurse tjetri i biri i kandidates socialiste për deputete, Makbule Çeço.

Ndërkaq në tre qendra votimi të Komunës së Lazaratit Partia Socialiste nuk u përfaqësua në votime me komisionerët e saj, për shkak të asaj që ajo e ka quajtur “klimë e pasigurie e rendit” në këto qendra. Zgjedhjet në këto qendra votimi kanë vijuar normalisht, pasi kodi zgjedhor nuk parashikon anullim të votimit për mosparaqitje të komisionerëve.

Ambasadori i Misionit ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve Jorgen Grunet dhe Kryetari i Komisonit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, ishin të djelën paradite të pranishëm në Lazarat. Zoti Grunet u tha gazetarëve se procesi po vijonte normalisht dhe disa probleme të vogla nuk e cënonin thelbin e tij.

Po kështu edhe zoti Celibashi e vlerësoi votimin normal në këtë komunë duke përmendur edhe mungesën e komisionerëve socialistë. Kjo mungesë u shpreh ai do të shyrtohej në përfundim të procesit kur të mbërrinin ankimet nga subjektet politike pranë Komisionit Qëndror.

Të shtunën zhvilluan në Lazrat një vizitë dhe një takim të përbashkët me kryetarin e komunës zyrtarët e Partisë Socialiste, Andis Harasani, e Blendi Klosi së bashku me Lulëzim Bashën dhe Neritan Sejaminin të Partisë Demokratike.

Partia Socialiste në një konferencë shtypi të zhvilluar në mbrëmje tha se ishin kryer akte dhune ndaj një komisoneri të saj gjatë një grindje me komisionerë të Partisë Demokartike në komunën e Cepos.

Ndërkaq, edhe në zonën numër 2, në veri të vendit u zhvilluan votime. Në këtë zonë janë kandidatë Astrit Bushati i Partisë Demokratike dhe Pal Lera i Partise Socialiste. Por përsëritja e votimeve në zonën numër 2 nuk pritet të ndikoje në rezultatin perfundimtar të zgjedhjeve të 3 korrikut. Megjithatë, rivotimi në këtë zonë mund të ndikojë në imazhin e zgjedhjeve dhe në vlerësimin e nderkombëtarëve për to.

Kjo është edhe arsyeja, që drejtues të lartë të Partisë Demokratike dhe asaj socialiste ishin të pranishëm të djelën në këtë zonë zgjedhore. Përfaqësuesi i PD-së, Jemin Gjana, tha se megjithë disa parregullsi, votimet po zhvilloheshin të qeta.

Edhe zëvendës-kryeministri socialist Namik Dokle, ishte i pranishëm në zonën zgjedhore numër 2. Ai e vleresoi përgjithësisht të qetë procesin e rivotimit, por shtoi se “janë vërejtur edhe parregullsi, për të cilat Partia Socialiste do të ndjekë rrugën ligjore”.

Rivotimet në zonën numër dy u ndoqën edhe nga vëzhgues ndërkombëtarë të OSBE-ODIR, ndërkohë që nuk u vu re prania e vëzhguesve të shoqatave joqeveritare. Procesin e votimit u ndoq nga afër dhe nga përfaqësues të Komisiomit Qendror të Zgjedhjeve. Inspektori i këtij komisioni, Dashamir Alsula, tha se pavarësisht nga vështirësitë, po votohej në të 70 qendrat e votimit të kësaj zone.

Për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të votimit, në zonën numër 2, ku përfshihen 6 komuna malore, janë angazhuar 120 forca të policisë vendore. Vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Bajram Ibraj, inspektoi të djelën paradite punën e policisë vendore në mbështetje të procesit zgjedhor, ndërsa një helikopter i Ministrise së Rendit ishte vënë në shërbim të policisë për të ndjekur nga afër situatën në komunat e thella malore të Dukagjinit.

Pas votimeve të së djelës në Shqipëri, pritet të dalë rezultati përfundimtar i zgjedhjeve duke i dhënë kështu mundësinë Kryetarit të Partisë Demokratike të opozitës, ish-presidentit Sali Berisha, të fillojë krijimin e qeverisë së koalicionit.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut, por kryeministri Fatos Nano ka vazhduar të qëndrojë në pushtet, deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për rezultatin e debatueshëm në disa zona elektorale.

Presidenti Alfred Moisiu thotë se nuk do ta mbledhë Parlamentin e ri deri sa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë zyrtarisht rezultatin e tyre. Për rezultatet e para të zgjedhjeve të 3 korrikut pati rreth 300 ankesa, por zyrtarët e zgjedhjeve urdhëruan përsëritjen e votimeve vetëm në tre prej 100 zonave elektorale të vendit. Mbajtja e zgjedhjeve të drejta dhe të lira është një nga kushtet që i është vënë Shqipërisë për anëtarësimin në radhët e Bashkimit Evropian. //az//

XS
SM
MD
LG