Lidhje

Rektorët e universiteteve kundërshtojnë kuotat e larta qeveritare për pranimin e studentëve


Rektorët e universiteteve të Shqipërisë zhvilluan sot një takim, në përfundim të të cilit deklaruan se kuotat e shpallura nga qeveria për pranimet e reja në universitete janë të papërballueshme.

Rektorët ishin të një mendimi se asnjë prej universiteteve nuk ka mjedise dhe pedagogë të mjaftueshëm për të pritur një fluks aq të madh studentësh. Përveç cilësisë së studimeve, mungesa e mjediseve shkollore është një problem kryesor në Shqipëri jo vetëm për universitetet por edhe për arsimin e mesëm. Pjesa dërrmuese e maturantëve të shkollave të mesme të Tiranës kanë shprehur dëshirën për të vazhduar studimet në universitet.

Sipas një studimi më të fundit të kryer nga Drejtoria Arsimore e kryeqytetit, një numër mjaft i madh nxënësish të shkollave të mesme i janë përgjigjur pozitivisht pyetjes nëse do t'i vazhdojnë apo jo studimet e larta, pavarësisht nga rezultgatet e dobëta apo mesatare në maturë.

Drejtoresha e Arsimit të Tiranës, Majlinda Keta, thotë se shumë prej tyre janë nxitur pikërisht nga deklaratat e zyrtarëve dhe politikanëve për liberalizimin e universiteteve. "... Por unë jam partizane e teorisë dhe praktikës që nuk mund të liberalizosh asgjë në letër, pa patur kapacitetet e mjaftueshme që ta përballosh këtë liberalizim. Tirana është një nga ato qytete që e ka prirje që edhe nxënësit që kalojnë sesionin e dytë të vjeshtës kanë fituar statusin e ndjekjes së universiteteve në Shqipëri dhe jashtë vendit" - thotë zonja Keta. Ajo tha se përsa i takon arsimit parauniversitar po bëhen të gjitha përpjekjet që të mirëpritet një numër gjithnjë e në rritje të nxënësve.

Vetëm në shkollat e Tiranës shtohen cdo vit rreth 2000 nxënës dhe Tirana, thotë ajo, ka nevojë për të paktën edhe 3 shkolla të tjera. "Ne i sigurojmë të gjithë qytetarët që do të zgjedhin Tiranën si vend për të shkolluar fëmijët e tyre që shkollat do të zhvillohen në turne dhe të gjithë fëmijët e tyre do të shkojnë pranë shkollave të mesme që dëshirojnë të ndjekin. Por ndërkohë Tirana duhet të zgjidhë problemin e shumëpërforlur për shtimin e mjediseve. Tirana nuk ka më nevojë që të ndërtojë shtesa në shkollat ekzistuese, por ka nevojë për të ngritur 3 deri 4 shkolla të reja për arsimin e mesëm që do të zhbllokonin Tiranën në dendurinë e nxënësve për klasë, vecanërisht në zonat e Selitës, dhe në zona të tjera ku bumi urban tashmë është i njohur nga pushteti qendror dhe ai lokal në veçanti" - tha ajo.

Një numër njo i vogël shkollash dhe konviktesh janë në rindërtim e sipër dhe mund të mos jenë gati për fillimin e vitit të ri shkollor. Por drejtuesit e arsimit të kryeqytetit pohojnë se të gjithë nxënësit e rinj do të mirëpriten në shkolla, qoftë edhe duke mësuar me turne, ndërkohë që shumë mësues të rinj po zgjidhen me një seri konkursesh.

XS
SM
MD
LG