Lidhje

Në prag të takimit Bush-Putin


Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti Bush do të zhvillojnë raundin e dytë të bisedimeve në dy muaj në fund të kësaj jave në Washington.

Sipas analistëve dhe ekspertëve marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara duken se po marrin tatëpjetën. Që nga kritikat e Washingtonit ndaj asaj që zyrtarët e shohin si rritje të pushtetit autoritar të presidentit Putin e deri tek deklaratat kundërshtuese të Moskës rreth ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në zonat tradicionale të ndikimit rus, gjuha dhe toni i të dy palëve duket pak i tensionuar.

Yevgeni Volk, drejtor i zyrës së fondacionit Heritage në Moskë, thotë se ky tension do të shihet edhe në bisedimet e ardhshme mes presidentit Bush dhe presidentit Putin në Washington. “Presidenti Putin do të përpiqet ta bindë presidentin Bush se gjithçka është në rregull, se Rusia po ndjek rrugën e saj, se po mbron interesat e saj kombëtare dhe se demokracia e Rusisë nuk mund të matet me standartet perëndimore. Por mendoj se kjo nuk do të jetë shumë bindëse për Amerikën, meqë kjo e fundit ka interesat e veta. Prandaj unë mendoj se ka pak mundësi për të mbushur hapësirat që ekzistojnë mes Rusisë dhe Amerikës.”

Zoti Volk thotë se mosmarrëveshjet kanë të bëjnë që nga mosmarrëveshjet rreth krizës në Irak e deri tek natyra e programit bërthamor të Iranit, për të cilin Shtetet e Bashkuara mendojnë se mund të përdoret për qëllime ushtarake. Ai thotë se tensioni është krijuar edhe nga ushtrimet e përbashkëta të Rusisë me Kinën gjatë kohëve të fundit.

Sipas zotit Volk, ekziston edhe shqetësimi rreth fushatës ushtarake të Rusisë në Çeçeni, të cilën disa e kanë quajtur si hap prapa i demokracisë në politikën dhe median ruse. Ajo që e ndërlikon edhe më shumë problemin, për mendimin e zotit Volk, është se Rusia mendon se duhet të ketë një më të madh në skenën botërore si pasardhëse e Bashkimit Sovjetik. Viktor Kremeyuk është zëvendës-drejtor i Institutit SHBA-Kanada në Moskë. Ai thotë se një nga arsyet që Rusia është zemëruar është për shkak të humbjes së ndikimit në ish republikat sovjetike të Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Kirgistanit. “Nuk jam i sigurt në se presidenti Putin është i përgatitur psikologjikisht të sugjojë diçka si për shembull bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara. Ajo do të ishte zgjidhja më e mirë, meqenëse të dy vendet mund të bashkëpunojnë në Detin Kaspik, i cili ka rëndësi strategjike për të dy palët, në Ukrainë dhe madje edhe në Azinë Qendrore. Por mendoj se mentaliteti i Luftës së Ftohtë vazhdon të jetë i fuqishëm dhe është më i fortë se mendimi për të bashkëpunuar.”

Analisti Kremenjuk thotë se tensionet publike po përfshijnë edhe marrëdhëniet personale. Ai thotë se kanë kaluar ditët e fundit të viteve ’90 kur presidenti Bush dhe Putin u takuan për herë të parë dhe deklaruan miqësinë e tyre. “Presidenti Putin donte më shumë mbështetje për politikën e tij të brëndshme dhe presidenti Bush nuk ia dha këtë. Ndërkohë presidenti Bush kërkonte më shumë mbështetje nga presidenti Putin për ndërtimin e një strategjie të jashtme, po nuk e siguroi atë.”

Zoti Volk i fondacionit Heritage thotë se shumë specialistë mendojnë se marrëdhënei mes Moskës dhe Washingtonit janë në fazën më të keqe që prej 14 vjetësh. Dhe analistët mendojnë se takimi i kësaj jave do të jetë i vështirë për të dy presidentët, ndërsa ata përpiqen të shikohen si dy presidentë që ecin përpara në atë që e ata e kanë quajtur si marrëdhënie të tyre strategjike në rritje.

XS
SM
MD
LG