Lidhje

Bastisja e burgut të Basrës nga trupat britanike - Xhafari në Londër


Kryeministri i Irakut Ibrahim al-Xhafari tha se bastisja që trupat britanike kryen në një burg irakian, gjë që zemëroi qeverinë e tij, nuk do të dëmtojë marrëdhëniet midis dy aleatëve.

Zoti al-Xhafari i bëri këto komente sot në Londër pasi u takua me Sekretarin britanik të Mbrojtjes, John Reid. Kryeministri irakian tha se është dhënë urdhër që të fillojnë hetimet lidhur me bastisjen në burgun e qytetit jugor Basra.

Trupat britanike e bastisën burgun pasi u shqetësuan se 2 ushtarë, që ishin angazhuar në një mision sekret ishin arrestuar dhe mund t’u ishin dorëzuar milicisë lokale. Thuhet se ushtarët hapën zjarr kundër 2 policëve irakianë. Britania ka rreth 8 mijë e 500 ushtarë në Irakun jugor dhe sekretari Reid tha se dhuna e fundit nuk do të ndikonte tek angazhimi i trupave britanike.

Ndërkohë në Basra, qindra irakianë protestuan kundër pranisë së trupave britanike. Kohët e fundit janë shtuar shqetësimet se kryengritësit janë futur në radhët e forcave irakiane të sigurimit dhe policisë. Këshilltari irakian i sigurimit kombëtar pohoi sot për radion britanike se një problem i tillë ekziston në shumë pjesë të Irakut. Por ai tha se po zbatohen procedura të reja më të rrepta për të pastruar radhët nga këta elementë dhe për të ndalur infiltrimin e tyre në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG