Lidhje

Bode: Ulja e taksës ndaj biznesit të vogël, jo pakësim i të ardhurave që vijnë prej tij


Per të marrë pjesë në takimet vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndëkombëtar në Washington ndodhet edhe Ministri i Financave i Shqipërisë, Ridvan Bode, të cili dha një intervistë për emisionin televiziv “Ditari”

Zëri i Amerikës: Zoti Bode, këto dy ditët e fundit që ju keni qenë këtu në Washington shtypi shqiptar ka shkruar se organizmat ndërkombëtare si FMN-ja dhe Banka Botërore e kanë komentuar veprimin e qeverisë shqiptare për uljen e taksave kundrejt biznesit të vogël. A u bisedua lidhur me këtë çështje gjatë takimit në Washington dhe çfarë qëndrimi mbajti FMN-ja?

Ridvan Bode: Së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe ekipet tona respektive, prej disa ditësh ne po marrim pjesë në mbledhjet vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Pjesëmarrja jonë në këtë takim, veç angazhimit dhe detyrimit të përgjithshëm për të qenë prezent në një eveniment të tillë, ka të bëjë edhe me fillimin e negociatave e për fillimin e realizmit të marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit, respektivisht strategjisë për ta ndihmuar vendin në kuadrin e bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe të një marrëveshjeje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Koinçidon që rotacioni i pushtetit politik në Shqipëri të bëhet në përfundimin e mandateve të bashkëpunimit të dy këtyre insitucioneve me qeverinë e mëparshme, çka do të thotë që për qeverinë tonë përbën një prioritet fillimi i një bashkëpunimi më intensiv dhe në një nivel më të lartë me të dy këto insitucione. Ndërsa me Bankën Botërore kemi negociuar në Shqipëri dhe kemi një draft të një marrëveshjeje të ndihmës të Shqipërisë në kuadrin e reformave, të një strategjie, e cila shpresojmë se do të miratohet së shpejti, pasi të përfundojnë proçedurat e parashikuara nga pikëpamja administrative për t’u diskutuar në dikasteret në Shqipëri; po ashtu në institucionet e Bankës Botërore, një mision ndërkombëtar do të vijë pas dy-tri javësh në Shqipëri dhe do të fillojmë negociata për të përfunduar një marrëveshje, e cila nuk do të reflektojë të njëjtën proçedurë, të njëtjin nivel të marrëveshjeve të mëparshme, por mendohet që Shipëria, me progresin e bërë dhe me angazhimet e marra, ka mundësi për të kaluar në një fazë më të lartë gradimi dhe maturimi, në mënyrë që gradualisht të jetë në gjendje për të vepruar e pambikqyrur dhe për të vepruar në të gjithë kapacitetin e saj në përputhje me atë që veprojnë vendet e tjera, të cilat kanë një status më të lartë të zhvillimit të reformave, standarteve të qeverisjes e të tjera; dhe mendoj që së afërmi, brenda këtij viti ne do të mund ta përfundojmë këtë marrëveshje, e cila do të nënkuptojë pastaj të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me sistemin fiskal, me nivelin e shpenzimeve, aspekte të tjera që kanë të bëjnë me financat publike, por edhe me reformat strukturore në Shqipëri. Përsa i takon diskutimeve dhe komenteve për taksën mbi biznesin e vogël, e cila u përgjysmua, me një vendim të Këshillit të Ministrave, për ta kaluar si projektligj në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është se ka patur sensibilitete të tilla që paramendohen. Është një veprim tërësisht normal dhe në kuadrin e një veprimi dhe anagzhimi politik të deklaruar; mendoj që ulja e kësaj takse së pari nuk do të thotë pakësim i të ardhurave që vijnë nga biznesi i vogël, për arsye sepse një numër tepër i madh i biznesit të vogël ka mbetur jashtë regjistrimit dhe së dyti, nuk do të thotë ulje të ardhurash për arsye se administrimi i kësaj takse nuk ka qenë konform ligjit dhe nuk ka reflektuar si të thuash përputhshmërinë ekonomike të kësaj takse. Kjo pasi biznese të caktuara, të cilat kanë patur një lidhje me segmente të pushtetit, apo biznese të tjera, të cilat kanë paguar rryshfete në administratën që nxjerr taksat, kanë mundur të sigurojnë një status pagese më të vogël, ose hiç fare, në krahasim me të tjerë konkurrentë, të cilët janë diskriminuar në pagesë.

Zëri i Amerikës: Sa për qind të buxhetit përbën taksa mbi biznesin e vogël?

Ridvan Bode: Kjo është shifër simbolike, rreth 4 për qind të të ardhurave të buxhetit që vijnë nga kjo taksë, çka do të thotë se është tepër simbolike, por ajo që është e rëndësishme është që kjo taksë dhe së bashku me tatimin mbi të ardhurat e biznesit ë vogël, që është tatim mbi fitimin, i moderuar, janë elementare po ashtu edhe nga pikëpamja e të ardhurave dhe fondeve që siguron pushteti lokal, pasi konsiderohet që me ndryshimin e këtij niveli taksash mund të krijohet mungesë në fondet e pushtetit lokal. Kjo nuk është e vërtetë, Së pari, tatimi mbi të ardhurat e biznesin e vogël ka qenë një taksë jo lokale, ka qenë një taksë e administratës publike qendrore dhe që administrohet dhe nxirret nga pushteti qendror. Ne përmes përmirësimeve të bëra nuk përmbushim thjeshtë vetëm një angazhim elektoral për përgjysminin e taksave dhe për të ndihmuar biznesin e vogël, i cili realisht ndodhet në vështirësi ekstreme në Shqipëri; nga ana tjetër, ne krijojmë kushte dhe mundësi për të nxjerrë nga formaliteti një pjesë të madhe të bizneseve, pasi në Shqipëri, më shumë se gjysma e ekonomisë është në kuadrin informal, jo nën veprimin e ligjit. Ulja e kësaj barriere do të thotë mundësi më të mëdha për të vënë nën veprimin e ligjit ato pjesë të ekonomisë që janë informale dhe së treti, përmes këtij përmirësimi, ne sjellin nga pikëpamja ekonomike në të njëjtin nivel pagimin e tatimeve dhe detyrimeve, si bizneset e mëdha, ashtu edhe bisneset e vogla. Nëqoftëse e kemi 1,5 për qind, ende është shumë më tepër nga sa paguan sot biznesi i madh, që paguan vetëm 1 për qind të xhiros, si taksë mbi fitimin në buxhetin e shtetit.

Zëri i Amerikës: Shumë është folur për ndërtimin e një termocentrali në Shqipëri, projekt i Bankës Botërore dhe asaj Evropiane. Fillimisht ai ishte në plan të ndërtohej në Vlorë. Në shtyp është shkruar vazhdimisht por edhe qeveria ka deklaruar që nuk parapëlqen ndërtimin e këtij projekti në Vlorë. Ky pozicion i qeverisë, a është mbështetur tek ndonjë studim i veçantë që ngre shqetësime për ndotjen e ambjentit në Vlorë, si një zonë turistike?

Ridvan Bode: Nuk është thjesht një qëndrim absurd i qeverisë nevoja për të riparë këtë investim, jo ngritjen e tij, por vendin e alokimit të këtij investimi, në se duhet në Vlorë, apo në se duhet në një zonë tjetër periferike dhe më pak të rëndësishme për ekonominë shqiptare dhe nga pikëpamja e strategjive të zhvillimit të vendit. Mendoj që kjo reflekton faktin që ndodhemi përballë një kaosi veprimesh nga ana e qeverisë së mëparshme. Ndërsa deklarohet Vlora si vendi ku investimi në fushën e turizmit do të përbëjë prioritet dhe zhvillimi turistik përbën prioritetin e saj dhe jo zhvillime të tilla të karakterit industrial dhe që rëndojnë ambjentin dhe nuk përputhen në të njëjtin drejtim me turizmin. Pra, ne kërkuam që një nevojë, apo një prioritet të mos mbivendoset dhe të mos bëhet në mohim të një proiriteti tjetër.

Zëri i Amerikës: Po a janë bërë studime lidhur me këtë?

Ridvan Bode: Po sigurisht që nuk ka patur ndonjë studim. Ka patur vetëm një vendim politik që do të ndërtojmë një termocentral në Vlorë dhe nga ana tjetër, niset nga nevoja krejt të tjera që unë injoroj t’i marr në konsideratë, në se është prioritar, në se është ekonmik nga pikëpamja e leverdisë, në se është strategjik nga pikëpamja e vendit, e të tjera, por mund të them që është marrë një vendim që mund të merrej për t’u vendosur në një zonë tjetër.

Zëri i Amerikës: Çfarë biseduat për këtë çështje në Washington?

Ridvan Bode: Ne kemi biseduar dhe kemi mirëkuptim për këtë çështje edhe me Bankën Botërore që është pjesë e këtij projekti për ta zhvendosur dhe për ta alokuar në një vend ku dëmi i sjellë ndaj një prioriteti tjetër të deklaruar, siç është turizmi bregdetar, të mund të mos mbivendoseshin këto priorietete mbi njëra tjetrën; dhe ka mirëkuptim për këtë dhe për shumë gjëra të tjera, rishikimi i të cilave mendoj se është i domosdoshëm për Shqipërinë dhe zgjidhja korrekte pa konflikte midis strategjive, por në përputhje edhe me aspiratat e popullsive që jetojnë respektivisht në këto zona, do të ishte një zgjidhje më e mirë.

Zëri i Amerikës: Administrata e doganave që mbulohet nga Ministria e Financave ka qenë vazhdimisht e përfolur për çështje të korrupsionit. Ç’masa po merr qeveria juaj për ta luftuar këtë fenomen?

Ridvan Bode: Sigurisht, që administrata fiskale, administrata doganore ka qenë një ndër pjesët më të dukshme të korrupsionit administrativ të qeverisë së kaluar. Por, jo vetëm kaq. Janë sektorët e tjerë që janë prekur rëndë nga epidemia e korrupsionit dhe që kanë dëmtuar jo pak efektivitetin e qeverisë, po ashtu edhe efiçencën e përdorimin e fondeve publike. Ne mendojmë që prioriteti qe i deklaruar dhe i marrë përsipër nga Partia Demokratike dhe i shtruar në program të qeverisjes aktuale për të vendosur një dominim mbi këtë fenomen dhe për të eleminuar korrupsionin, për të ndëshkuar ligjërisht dhe për të marrë një sërë masash të tjera të karakterit ligjor dhe karakterit organizativ dhe o të krijojë kushtet dhe mundësitë për arritur rezultate konkrete. Ne jemi duke punuar jo vetëm për të adresuar problematikën, që ka të bëjë me hallkat e korrupsionit, me procedurat që nxisin dhe kanë nxitur korrupsionin administrativ në dogane, në tatime dhe në pjesë të admisnitratës publike, por krahas kësaj jemi duke krijuar struktura të tilla kontrolli të zbatimit të ligjshmërisë, struktura kontrolli të zbatimit korrekt të procedurave për vjeljen e tatim e taksave do të bëjë të mundur minimizimin e fenomenit sikurse dhe marrjen e masave ndëshkimore ndaj bartësve të këtij femonomeni, do të jetë një prioritet. Ne jemi duke riparë të gjithë kuadrin që ka të bëjë me rekrutimin e punës të administratës fiskale dhe po ashtu rivlerësimin e angazhimit të punës së çdo nëpunësi që aspiron për t’u shndërruar në në nëpunës civil, për të marrë status, në përputhje me objektivat që ka marrë vetë kjo administratë. Pra, jemi në një proces vlerësimi, vëzhgimi dhe po ashtu adresimi të problematikës që ka të bëjë me këtë fenomen në adminsitratën fiskale.

XS
SM
MD
LG