Lidhje

Sfida tjetër në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara


Duke filluar nga dje, gjykatësi John Roberts është kryetar i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, më i riu në këtë post që prej 200 vjetësh. Kjo do të thotë që qëndrimet e tij do të ndikojnë në jetën e amerikanëve për dekada me radhë. Kandidatura e zotit Roberts u miratua dje nga senati amerikan me 78 vota pro dhe 22 kundër. Tani Presidenti Bush përballet me sfidën tjetër: të emërojë një kandidat tjetër si anëtar të gjykatës së lartë, i cili do të zëvendësojë gjykatësen Sandra Day O’Connor, e cila do të dalë në pension.

I shoqëruar nga gruaja e tij Jane, John Roberts bëri dje betimin si kryetari i 17-të i gjykatës së lartë të Shteteve të Bashkuara. Presidenti George Bush e quajti një moment historik dhe vlerësoi lart njeriun që ai ka zgjedhur për të drejtuar gjykatën më të lartë të vendit. “Gjatë seancave për konfirmimin e tij këtë muaj, anëtarët e senatit dhe populli amerikan patën rastin të shohin shumë më tepër sesa intelekt dhe përvojë të gjerë tek Gjykatësi John Roberts. Ata panë gjithashtu edhe karakterin e tij si njeri”.

Gjykatësi Roberts premtoi se si kryetar gjykate do të bënte maksimumin për të plotësuar detyrimet e tij. “Këtë angazhim mora me betimin tim. Unë do të përpiqem të garantoj, brenda përgjegjësive të mia që me ndihmën e kolegëve, t’i lë trashëgim brezit të fëmijëve të mij një kartë të vetëqeverisjes po aq të konsoliduar dhe dinamike, sa edhe ajo që na la kryetari i gjykatës Rehnquist”.

Në moshën 50 vjeçare, ish-gjykatësi i apelit do të pasojë gjykatësin William Rehnquist duke u bërë kryetari më i ri i gjykatës së lartë të Shteteve të Bashkuara, që prej 200 vjetësh. Meqenëse është i ri në moshë, zoti Roberts mund ta drejtojë gjykatën për dekada me radhë, një fakt që nuk mbeti pa u përmendur nga senatori demokrat Ted Kennedy, kur ai votoi kundër: “La shumë vend për dyshime dhe mund ta vërë vendin në rrezik për dekada me radhë”.

Pavarësisht nga votat kundër, kandidatura e gjykatësit Roberts u konfirmua lehtësisht në senatin e kontrolluar nga republikanët. Tani vëmendja përqëndrohet tek vendi tjetër i gjykatësit që duhet plotësuar. Senatorët presin që konfirmimi për anëtarin tjetër të gjykatës të jetë më i vështirë kur presidenti të emërojë një kandidat për të zëvendësuar gjykatësen Sandra Day O’Connor.

Gjykatësja O’Connor ka hedhur shpesh votën vendimtare në vendime ku votat janë ndarë 5 me 4. Senatori demokrat Charles Schumer parashikon një betejë të rreptë politike, nëse presidenti emëron një konservator republikan të vijës së ashpër. “Ky është një rast ku konsensusi është i domosdoshëm”. Presidenti Bush ka bërë takime me rreth 70 senatorë për të diskutuar për kandidatura të mundshme, duke lënë të kuptohet se mund të zgjedhë një grua, ose një anëtar të pakicave.

Sipas analistëve, në listë mes kandidaturave mund të jenë prokurori i përgjithshëm Alberto Gonzales dhe këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Harriet Miers. Tani që në krye të gjykatës është vendosur një konservator, kandidatura e ardhshme e presidentit mund të prisë balancën politike të gjykatës sidomos për çështje kontradiktore si aborti. Por senatori republikan Bill Frist beson se gjykatësi Roberts nuk do të lejojë që bindjet e tij personale të ndikojnë tek vendimet e tij ligjore. “Ai ka treguar se nuk do të lejojë që pikëpamjet e tij të prekin prirjen e tij për të marrë vendime të drejta. Ai nuk do t’i çojë pikëpamjet e tij politike në gjykatë”.

Gjykata e Lartë e fillon sesionin e ri më 3 tetor. Si kryetar i gjykatës së lartë, Roberts do të jetë në një nga postet më me ndikim në Shtetet e Bashkuara, duke pasur kompetencën për të shkarkuar presidentët dhe për të përcaktuar drejtimin e gjykatës për breza të tërë me radhë.

XS
SM
MD
LG