Lidhje

Të paktën 22 të vrarë nga shpërthime bombash në Bali të Indonezisë


Të paktën 22 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën gjatë shpërthimeve të koordinuara të disa bombave sot në vendpushimin indonezian të Balit. Presidenti Susilo Bambang Yudhoyono i dënoi shpërthimet e mbrëmshme si akte terroriste, dhe premtoi se do t’i sillte personat përgjegjës para drejtësisë.

Shpërthime ndodhën në dy restorante në plazhin Jimbaran dhe një i tretë në një qendër dyqanesh në qytetin Kuta. Kuta ishte vendi ku ndodhi shpërthimi i 12 tetorit 2002 në një klub nate ku u vranë 202 veta, shumica e tyre turistë të huaj. Një shtetas australian dhe një shtetas japonez ishin mes të vdekurve nga shpërthimet e mbrëmshme. Pesë koreano jugorë u plagosën dhe disa shtetas australianë dhe amerikanë u lënduan.

Gjatë muajve të fundit, presidenti indonezian bëri thirrje për rritjen e sigurisë, duke thënë se shtatori dhe tetori duket se janë muajt e preferuar të sulmeve terroriste. Grupi ekstremist islamik, Jemaah Islamiyah, mori përgjegjësinë për sulmin e vitit 2002, si dhe për dy sulme të tjera, një sulm në gusht 2003 që vrau 12 veta në hotelin Marrot në Jakarta dhe një tjetër në shtator 2004 që vrau 10 veta në ambasadën australiane në Indonezi.

XS
SM
MD
LG