Lidhje

Charlize Theron merr përsipër një sfidë të re kinematografike


Në fillimet e karrierës së tyre, shumë nga aktorët me emër të Hollivudit janë detyruar të pranojnë role për të cilat nuk ndjehen shumë krenar, me shpresën se një ditë do të zbulohen nga një regjizor i famshëm. Aktorja Charlize Theron zgjodhi një alternativë jo shumë tradicionale. Kjo aktore që konsiderohej vetëm si një fytyrë simpatike në Hollivud, shtoi mbi 20 kilogramë dhe me makiazh të tepruar interpretoi në rolin e një gruaje të pastrehë, të vrarë nga jeta e rëndë dhe droga e cila shndërrohet në një kriminele të pashpirt. Kjo zgjedhje i siguroi aktores Çmimin Oskar dhe duket se e ka frymëzuar të zgjedhë një rol tjetër që nxjerr përsëri në pah rolin e saj si aktore më tepër se pamjen e saj të jashtme.

Aktorja Charlize Theron u nderua këtë javë me yllin e saj në bulevardin e Hollivudit. Karriera e saj mori hov pas lojës në filmin Monster, që i siguroi asaj edhe Cmimin Oscar. Tani atë e shohim në një film të ri, të titulluar North Country, i cili ashtu si Monster, nuk i ka varur shpresat e suksesit në bukurinë fizike të Charlizës, por në talentin e saj dhe në subjekt.

North Country, një dramë që bazohet në ngjarje reale, është ndërtuar me skena pjesërisht kronologjike dhe pjesërisht në retrospektivë. Filmi pasqyron problemet me të cilat ndeshet Josie Aimes, e luajtur nga aktorja Charlize Theron, përfshirë këtu rrethanat që e detyruan të kërkonte punë në një minierë qymyrguri, ku mbizotërojnë meshkujt.

Sapo e ndarë nga i shoqi pas një martese problematike, Josie kthehet në shtëpinë e prindërve, të cilët përpiqen ta bindin të durojë keqtrajtimin e të shoqit dhe të ruajë martesën. Familja e cila ndjehet e turpëruar nga vendimi i vajzës për t’u ndarë dhe nga fakti që ajo ka 2 fëmijë me baballarë të ndryshëm, ndjehet edhe më e skandalizuar nga vendimi i saj për të punuar në minierë.

Në këto moment filmi futet në linjën tjetër të subjektit, atë të përuljeve dhe abuzimeve me bazë gjinore që Josie ndesh në vendin e punës, si rrjedhojë e kundërshtimit të minatorëve të tjerë për përfshirjen e grave në këtë sektor.

Subjekti, shtjellon zanafillën e ligjeve kundër ngacmimeve seksuale dhe diskriminimit me bazë gjinore në vendin e punës. Filmi filloi të shfaqet të premten në kinematë amerikane.

Një stiliste nxjerr një linjë veshjesh të pazakonta

Stilistja Vinienne Westwood shpalosi të mërkurën në Paris linjën e saj të bluzave anti-ligjore. Jo se bluzat janë të jashtëligjshme, por ato mbajnë një qëndrim kundër ligjeve anti-terroriste që kanë miratuar qeveritë perëndimore.

Bluzat shkruajnë parullën “Nuk jam terrorist, Mos më arrestoni,” dhe u krijuan me kërkesë të organizatës Liberty, një ndër organizatat më aktive të Britanisë në mbrojtje të të drejtave civile.

Bluzat e reja janë pjesë e një fushate që i kundërvihet përpjekjeve të qeverisë për të mbajtur për deri në tre muaj persona të ndaluar nën dyshimet për veprimtari terroriste. Motivet mund të jenë fisnike, por zor se mund të tërheqin shumë njerëz pas vetes. Jo shumë kohë më parë qëndresa paqësore nuk kushtonte gjë nga xhepi, përveç kohës dhe guximit.

Bluzat e stilistes Westwood kushtojnë nga 88 dollarë për të rritur dhe afro 35 dollarë për foshnjat, pra ka të ngjarë që ata që shohim me bluza të tilla veshur të mos jenë aktivistë të të drejtave civile, por simpatizantë të krijimeve së stilistes të cilëve ua mban xhepi një çmim të tillë.

Filmi i ri i Roberto Benignit, La Tigre e La Neve, mbërrin në Amerikë

Vazhdojmë tani me një titull të ri nga kinematografia evropiane. Filmi i ri i regjizorit italian Roberto Benigni, La Tigre e La Neve, Tigri dhe Bora, nga shumë veta është cilësuar si një pasues i tematikës së realizimit të vitit ‘99, La Vita e Bella, për të cilin Benigni fitoi edhe Cmimin Oscar.

Është një gërshetim i lirikës së një marrëdhënieje dashurie dhe tmerreve dhe absurditetit të luftës. Në stil tipik për Benignin, ai pasqyron me humor dhe me skena të jashtëzakonshme guximin që tregon një njeri i dashuruar për të kapërcyer tragjedinë dhe për të shijuar të bukurën në jetë.

Personazhi kryesor i luajtur nga Benigni përballet me kërcënimet e luftës në Irak, ku shkon për të ndihmuar një shkrimtare italiane, me të cilën ka rënë në dashuri.

Edhe këtë radhë shikuesit do të gjejnë momente krejtësisht komike në situata që në jetën normale do t’i dukeshin kujdo tragjike, si për shembull kur personazhi i Benignit ia merr një valleje në një fushë të minuar, apo kur sulmohet nga mizat në një spital në Bagdat dhe duke i qëlluar për t’i vrarë, ai thërret gjithë hare se ka zbuluar armën e vërtetë të shkatërrimit në masë, apo një herë tjetër kur i reciton vargjet e Biblës Allahut.

Vetë Benigni thotë se filmi është një mesazh kundër luftës dhe tregon se në dashuri, mbi të gjitha kërkohet guxim.

XS
SM
MD
LG