Lidhje

SHBA: Roli i ushtrisë në përgjigje të katastrofave natyrore


Presidenti Bush i ka kërkuar Kongresit t’i japë atij autoritetin për të përdorur ushtrinë që të detyrojë mbajtjen e njerëzve në karantinë në se bie një epidemi e gripit të shpendëve. Presidenti ka sugjeruar që forcat e armatosura të marrin kontrollin në përgjigje të katastrofave natyrore:

Presidenti Bush tha se është i shqetësuar se autoritetet lokale dhe shtetërore mund të mos jenë në gjendje të përballojnë një epidemi të gripit të shpendëve. "Kush do ta bënte më mirë mbajtjen në karantina? Një mundësi është përdorimi i ushtrisë që është në gjendje të planifikojë dhe të lëvizë," tha presidenti.

Presidenti Bush ka thënë gjithashtu se kërkon të përmirësojë përgjigjen federale ndaj katastrofave natyrore si uragani Katrina që mori më shumë se 1mijë jetë. Zoti Bush sugjeroi që Kongresit mund t’i duhet të ndryshojë një ligj që ekziston prej 127 vjetësh që kufizon rolin e trupave federale brenda Shteteve të Bashkuara. Akti i vitit 1878 u krijua pas Luftës Civile Amerikane për të mbajtur ushtinë aktive në detyrë larg zbatimit të ligjit civil. Ligji nuk përfshin anëtarët e Gardës Kombëtare që mund të thirren nga guvernatorët e shteteve dhe janë subjekt i kontrollit të qeverisë lokale.

Disa ekspertë të mbrojtjes thonë se zyrtarët ushtarakë dhe civilë janë skeptikë për ndryshime që do ta vinin Pentagonin në krye të situatave emergjente në vend. David Mosher është analist i lartë politik në Korporatën Rand në Washington. "Ne si amerikanë vihemi në siklet në se ushtria përfshihet në zbatimin e ligjit civil dhe sa herë që është e nevojshme një gjë e tillë, ajo bëhet me shumë kujdes. Edhe nëse ligji nuk ndryshon disa anëtarë të Kongresit kërkojnë të mbahen seanca me pyetje-përgjigje për të parë sesi ushtria mund të ndihmojë në përpjekjet e shpëtimit.

John Bonsell është oficer ushtarak në pension dhe ndihmës ushtarak i senatorit republikan James Inhofe. "Nuk është e thënë të kërkojnë më shumë autoritet por thjesht mundësi për t’u stërvitur me qeveritë lokale dhe shtetërore më shumë në mënyrë që të jemi më të koordinuar dhe të kuptojmë mangësitë e njëri-tjetrit," thotë zoti Bonsell.

David Mosher thotë se presidenti gëzon autoritetin për të federalizuar trupat lokale, duke thirrur ushtrinë në detyrë aktive për të zbatuar rendin në se është nevoja. Dhe presidentë të shkuar e kanë bërë një gjë të tillë. Në vitin 1963 përshembull, presidenti John F. Kennedy federalizoi Gardën Kombëtare të Alabamës për të zbatuar të drejtat civile të afrikano-amerikanëve të cilëve guvernatori i shtetit George Wallance u kishte mohuar të drejtën për t’u regjistruar në Universitetin e Alabamës. Dhe në vitin 1992 presidenti George H. W. Bush dërgoi trupat federale për të ndihmuar për shtypjen e protestave racore në Los Angelos, pasi pesë oficerë të bardhë të policisë u akuzuan se kishin rradhur afrikano-amerikanin Rodney King.

Gjatë uraganit Katrina, disa kritikë argumentuan se kishte shumë pak trupa të Gardës Kombëtare në Luiziana për të ndihmuar me katastrofën pasi shumë prej tyre ishin dislokuar në Irak. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Ramsfeld nuk është dakort. Në një konferencë shtypi në Pentagon, zoti Rumsfeld theksoi se edhe në kulmin e uraganit Katrina, ishin të paktën 300 mijë trupa të Gardës Kombëtare të gatshme në vend.

Ekspertët thonë se presidenti Bush mund ta ketë të vështirë për të fituar mbështetjen e publikut për t’i dhënë Pentagonit fuqi më të zgjedhuar. Një anketë e fundit e gazetës USA Today tregon se pothuajse nuk ka aspak mbështetje midis guvernatorëve të vendit për të lejuar ushtrinë të marrë kontrollin në përpjekjet e mëkëmbjes nga katastrofat.

XS
SM
MD
LG