Lidhje

Shpallen fituesit e Çmimit Nobel në ekonomi


Thomas Schelling nga Shtetet e Bashkuara dhe Robert Aumann me dy shtetësi, amerikane dhe izraelite, janë fituesit e Çmimit Nobel në ekonomi për vitin 2005. Dy fituesit u shpallën sot në Akademinë Mbretërore Suedeze të Shkencave në Stokholm. Ata u nderuan për punën e tyre teorike që ndihmon për të shpjeguar konfliktet ekonomike.

Akademia thotë se puna e tyre ndihmon në shpjegimin e konfliktit dhe bashkëpunimit ekonomik. Komisioni i Çmimeve Nobel tha se Thomas Schelling ka ndihmuar në zbatimin e kësaj teorie në çështje jetike si siguria globale dhe gara e armatimeve.

Teoria e tyre merr në shqyrtim opsionet e ndryshme që ka përpara njëra palë në negociata biznesi, në konflikt apo në lojra si shahu, ndërkohë që pala tjetër ka një numër reagimesh në përgjigje të këtyre opsioneve të kundërshtarit. Veprimi dhe kundërveprimi krijojnë shumë shpejt një larmi alternativash të ndërlikuara, që bëjnë të nevojshme analizën matematike për të kuptuar situatën dhe për të parashikuar rezultatet.

Robert Aumann u veçua për punën e tij në zbatimin e këtyre metodave matematike dhe për shqyrtimin e ndikimit që ka shfrytëzimi i të dhënave jo-perfekte në zgjedhje shumë të rëndësishme. Dy fituesit e Çmimit Nobel do të ndajnë shpëblimin prej 1 presje 3 milion dollarësh.

Çmimi Nobel për ekonominë është i vetmi që nuk ishte përcaktuar në testamentin e industrialistit suedez Alfred Nobel në vitin 1901. Ky çmim u krijua me nismën e Bankës Qendrore suedeze në vitin 1968.

XS
SM
MD
LG