Lidhje

Nënsekretarja e Shtetit Karen Hughes, gati të fillojë turneun e dytë në botë


Nënsekretarja amerikane e shtetit për diplomacinë publike Karen Hughes do të fillojë turneun e saj të dytë për të dëgjuar opinionin e njerëzve nga të cilët amerikanët nuk dëgjojnë shumë, pra për të dëgjuar opinionin e njerëzve të thjeshtë jashtë Amerikës dhe jo vetëm të udhëheqësve botërorë. Turneu i saj i parë përfshinte vizita në Egjipt, Arabinë Saudite dhe Turqi dhe i dha asaj mundësinë të dëgjonte opinione të forta negative rreth politikës së jashtëme amerikane për Lindjen e Mesme.

Karen Hughes është përpjekur ta paraqesë si pozitiv turneun e saj të fundit në Lindjen e Mesme. Një turne që synonte të përmirësonte imazhin e Amerikës në vendet myslimane. Por shumë njoftime në median arabe dhe atë amerikane e përshkruan me tone mjaft kritike misionin e saj. Në një takim për politikën publike në Uashington, zonja Hughes tha se në fakt ajo e dinte se do të dëgjonte komente të tilla kritike për politikën e jashtëme amerikane.

"Nuk u habita kur u takova me një numër grash shumë aktive në Turqi, gra të cilat kishin opinionin e tyre për çështjet e ndryshme, gra me mjaft vullnet, dhe shumë prej tyre më thanë se nuk kishin qenë dakord me politikën tonë për të hyrë në luftë në Irak. Besoj se edhe po të isha takuar me një grup të ngjashëm grash në Shtetet e Bashkuara ndoshta do të kisha dëgjuar të njëjtën gjë."

Zonja Hughes e cila e informoi personalisht presidentin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës për vizitën e saj, tha se ishte inkurajuar mjaft nga klima në Egjipt, ku njerëzit ishin të hapur për diskutime dhe debate rreth politikës së jashtëme amerikane.

"Ishte interesante kur shihje anëtare të partive të ndryshme politike të vinin në tryezën time dhe të më tregonin dy gjëra krejtësisht të ndryshme se çfarë duhet të bëjnë Shtetet e Bashkuara. Njëra prej tyre më tha hapur fare, pa doreza, se Amerika duhet të shikojë punën e vet. Kurse një tjetër më tha se ne duhet të flasim më me forcë dhe të inkurajojmë ata zëra që janë për fjalën e lirë dhe për një angazhim më të madh amerikan në Lindjen e Mesme. Pra ishin dy pikpmaje krejt të ndryshme në të njëjtën tryezë ku ne ishim duke ngrënë së bashku."

Zonja Hughes thotë se turneu i saj pati një numër të papriturash. Ajo thotë se njerëzit që takoi ishin po aq të preokupuar me mënyrën se si paraqiten ata në median amerikane sa ç’janë amerikanët për mënyrën se si paraqiten ata nga mediat arabe.

"Vura re se gratë arabe ishin mjaft të afta në mënyrën e të shprehurit dhe i shprehnin me mjaft pasion dhe dëshirë opinionet e tyre. Njerëzit kudo në botë duan të dëgjohen. Ata duan që mendimet e tyre të merren parasysh dhe të ndikojnë për ndryshime."

Zonja Hughes do të shkojë kësaj here në Indonezi dhe Malajzi në vazhdim të turneut të saj të dëgjimit. Ajo është këshilltare e afërt e Presidentit Bush dhe do t’i raportojë atij drejtpërdrejt për ato që do të dëgjojë në turneun e saj.

XS
SM
MD
LG