Lidhje

Shënohet Dita Botërore e Ushqimit


Mbi 150 vende të botës po festojnë sot më 16 tetor Ditën Botërore të Ushqimit, e cila përkon me përvjetorin e themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë në vitin 1945.

Mbi 6 milion vetë kanë vdekur vetëm këtë vit nga urija dhe sëmundjet që lidhen me mungesën e ushqimit. Më shumë se 850 milion vetë në botë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, FAO, është përpjekur të përmbushë objektivin e pakësimit në masën 50 për qind brenda vitit 2015 të numrit të personave që preken nga urija në botë.

Organizata shënoi e Ditës Botërore të Ushqimit me një ceremoni të posaçme të organizuar në selinë e saj në Romë. Drejtori i FAO-s, Jacques Diouf thotë se tema e zgjedhur për Ditën e Sivjetshme të Ushqimit, e cila sot shënon 25-vjetorin, është “Bujqësia dhe dialogu ndër-kulturor – trashëgimia jonë e përbashkët”. Ai thotë se dialogu ndërmjet kulturave të ndryshme bën të mundur përhapjen e njohurive. Dr. Diouf shtoi se bota sot ka burimet dhe teknologjinë e nevojshme për të prodhuar ushqim të mjaftueshëm që të përballohen kërkesat dhe të eliminohet urija.

Dr. Diouf caktoi 3 ambasadorë të vullnetit të mirë nga FAO: Zonjën e Parë të Paraguait, Maria Gloria Penayo de Duarte, kampionen botërore të atletikës Beatrice Faumuina nga Zelanda e Re dhe këngëtarin irlandez Ronan Keating. Zonja Penayo de Duarte, ambasadorja e parë e jashtëzakonshme e Organizatës për Ushqimin dhe Bujqësinë, ka mbështetur nismat për sigurimin e ushqimit dhe ka luajtur një rol aktiv në programet për shëndetin dhe zhvillimin e grave, shtresave të varfëra dhe fëmijëve të pastrehë në Paraguai.

Beatrice Faumuina ishte e para grua e mbarë rajonit të Paqësorit Jugperëndimor, e cila fitoi titullin e kampiones botërore. Në vitin 1997 ajo mori medaljen e artë për hedhjen e diskut.

Ronan Keating doli për herë të parë para publikut në moshën 18-vjeçare. Në qershor 2004 ai bëri një udhëtim që i ndryshoi jetën. Ai vizitoi ferma dhe familje në Ganë si dhe vende të tjera në zhvillim dhe u trondit nga varfëria që pa nga afër dhe nga ndikimi i rëndë që kishin ligjet e padrejta të tregëtisë.

Që nga viti 1999, ambasadorët e vullnetit të mirë të Organizatës për Ushqimin dhe Bujqësinë kanë ndihmuar në përmbushjen e misionit të kësaj agjencie të OKB-së duke sjellë vëmendje publike mbi problemin e varfërisë botërore.

XS
SM
MD
LG