Lidhje

Bashkimi Evropian: gripi i shpendëve përbën një kërcënim global


Pas shfaqjes së gripit të shpendëve në Greqi, shqetësimi se kjo sëmundje mund të shtrihet kudo, vazhdon të përhapet mes qytetarëve evropianë. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian zhvilluan në Luksemburg bisedime emergjente dhe u përpoqën të qetësojnë publikun.

Në një laborator të Greqisë, që përmbush standartet e Bashkimit Evropian, po bëhen analizat për të zbuluar nëse një mostër e marrë nga një gjel deti në një ishull të vogël në Detin Egje është prekur nga gripi i shpendëve. Nëse një gjë e tillë konfirmohet, ky do të jetë rasti i parë i gjetjes së virusit të gripit të shpendëve në një vend anëtar të Bashkimit Evropian.

Si një masë parandaluese, Greqia ndaloi menjëherë eksportet e shpendëve të gjallë dhe të produkteve të tyre nga ishujt e Detit Egje. Pas konfirmimit të rasteve të gripit të shpendëve në Turqi dhe në Rumani, tani po bëhen gjithashtu analiza në Bullgari dhe në Kroaci.

Sekretari i jashtëm britanik, Xhek Strou, i cili kryesoi takimin e Bashkimit Evropian, tha se synimi i tij kryesor ishte që qytetarët të sigurohen se po meret çdo masë paraprake që virusi i gripit të shpendëve të mos shndërohet në një epidemi që mund të shkaktojë vdekje tek njerzit. “Po bëhen përpjekje të mëdha për të siguruar këshilla dhe ndihma për Greqinë, Rumaninë, Turqinë, Fedaratën Ruse dhe vende të tjera nëpër botë. Po bëhen përpjekje të mëdha për t’u siguruar që ekzistojnë plane të mjaftueshme përgatitore për të parandaluar transferimin e virusit tek njerëzit,” tha zoti Strou.

Ministrat e jashtëm thonë se gripi i shpendëve përbën një kërcënim global, që kërkon masa nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Ata thonë se Evropa Perëndimore është e papërgatitur të parandalojë një gjendje emergjente të një gripi të tillë. Nervozizmi mes qytetarëve evropianë po shtohet gjithnjë e më shumë. Por komisioneri i BE-së për shëndetin, Markos Kyprianu, tha se nuk ka arsye për panik. “Fakti që në Evropë është konstatuar gripi i shpendëve nuk ndikon tek mundësia e një epidemie gripi tek njerzit. Organizata Botërore e Shëndetsisë na ka këshilluar se ekziston mundësia e një epidemie të tillë. Kjo epidemi mund të përhapet nga ky virus, nga çdo lloj virusi tjetër. Ne i kemi filluar përgatitjet për një gjë të tillë dhe do t’i vazhdojnë ato edhe në të ardhmen,” tha zoti Kyprianos.

Autoritetet në vendet e prekura nga virusi i gripit të shpendëve po përpiqen të parandalojnë përhapjen e tij, duke bllokuar këto zona, duke spërkatur disinfektant dhe duke asgjesuar shpendët. Ekspertët thonë se për momentin ky problem ekziston vetëm tek kafshët. Por kërkesa për ilaçe anti-virale po shtohet, ndërkohë që më shumë se gjysma e vendeve të Bashkimit Evropian kanë bërë kërkesë për to. Fakti që viruset mund të përhapen me shpejtësi e bën më të vështirë vaksinimin e shpendëve.

“Ne duhet të punojmë për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinës, thotë ministri italian i shëndetsisë, ky është aspekti më i vështirë.” Kompanitë farmaceutike kanë thënë se i kanë katërfishuar prodhimet e tyre.

XS
SM
MD
LG