Lidhje

Presidenti Bush kërkon miratimin e një plani kundër imigracionit të paligjshëm


Presidenti Bush po u kërkon ligjvënësve të miratojnë një plan miliona dollarësh për të luftuar imigracionin e paligjshëm. Ka një konsensus të gjerë në Shtetet e Bashkuara se sistemi i imigracionit ka nevojë për reforma rrënjësore, por ka gjithashtu një debat të ashpër për mënyrën se si të realizohet një gjë e tillë.

Numri i emigrantëve që punojnë në mënyrë të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara mund të ketë kapur shifrën 11 milionë dhe dhoma amerikane e tregëtisë thotë se numri aktual mund të jetë edhe dy herë më i madh, nëse llogariten edhe anëtarët e familjes që nuk punojnë. Federata kombëtare që përfaqëson interesat e biznesit në Shtetet e Bashkuara thotë se sistemi i emigracionit në Shtetet e Bashkuara ka dështuar dhe duhet të reformohet, gjë me të cilën presidenti Bush është dakord që nënshkroi këtë javë një paketë prej 32 miliardë dollarësh për sigurinë kombëtare.

Zoti Bush do që të sigurohen kufijtë e Amerikës dhe të merren masa ndaj emigracionit të paligjshëm, por gjithsesi të lihet hapur shtegu për punëtorë të huaj.

“Ne duhet të gjejmë një mënyrë që ta plotësojmë këtë nevojë duke sjellë punëtorë nga vende të huaja mbi baza të përkohëshme dhe ligjore”.

Reformat që duhet të miratohen nga Kongresi kanë të bëjnë me një program për punësim sezonal që do t’u jepte mundësi të huajve pa dokumenta të punojnë në Shtetet e Bashkuara për tre vjet dhe pastaj të kthehen në vendin e tyre për të marrë një leje të re pune.

Propozimi i presidentit parashikon gjithashtu caktimin e fondeve për më shumë roja të ruajtjes së kufirit, objekte ndalimi dhe përmirësime në teknologji.

Megjithëse ekzisiton konsensusi për nevojën e ndryshimeve, nuk është rënë dakord për mënyrën sesi duhet realizuar. Senatorët John McCain dhe Ted Kennedy duan që të lihet hapur mundësia që imigrantët e paligjshëm të bëhen banorë të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara pa qenë nevoja që të kthehen në vendin e tyre.

“Ndryshimi kryesor është se sipas planit të presidentit, ata individë duhet të kthehen në vendin e tyre, gjë që nuk ka shumë kuptim nga ana ekonomike dhe nga ajo njerëzore”.

Presidenti Bush është kundër amnistisë për emigrantët e paligjshëm që kanë hyrë në vend, ashtu si edhe senatori McCain. Ai thotë se sipas paketës së tij, imigrantët e paligjshëm duhet të paguajnë një gjobë prej 2 mijë dollarësh në mënyrë që të mund të kërkojnë një letërnjoftim, që nuk mund të falsfikohet dhe pastaj të lejohen të punojnë.

“Pastaj ata duhet të punojnë edhe 6 vjet të tjerë dhe pastaj të lejohen të kërkojnë green card dhe mbase duhet të presin edhe pesë vjet të tjera. Gjithkush që e quan një gjë të tillë amnisti nuk lexon të njëjtin fjalor që lexoj unë. Ne mendojmë se është diçka e vështirë”.

Por Këshilli për Patrullimin Kombëtar të Kufijve mendon se këto masa nuk janë aq të rrepta sa ç’duhet. Sindikata që përfaqëon mbi 10 mijë agjentë të kontrollit të kufirit do që imigracioni i paligjshëm të ndalohet.

Por nga ana tjetër, anëtarë të komunitetit hispanik, pakica më e madhe dhe që po rritet më me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara thonë se imigrantët e paligjshëm marrin ato punë që nuk i duan amerikanët.

Industri të tëra si bujqësia dhe ndërtimi mbahen nga krahu i lirë i punës së emigrantëve. Hector Flores, udhëheqësi i Lidhjes së Qytetarëve të Bashkuara Latino-Amerikanë thotë se ekonomia amerikane do të falimentonte pa punën e imigrantëve të paligjshëm.

“Ata paguajnë taksat si gjithkush tjetër, punojnë duke kontribuar në ekonominë tonë, kështuqë duhet ta shohim me seriozitet këtë çështje. Ata duhet të shpërblehen, jo të penalizohen”.

Senati pritet të fillojë diskutimin e çështjes së imigracionit në nëntor.

XS
SM
MD
LG