Lidhje

Presidenti Bush takohet me kryeministrin maqedonas, Vllado Buçkovski


Presidenti Bush dhe kryeministri maqedonas, Vllado Buçkovski, u takuan të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë dhe diskutuan për reformat në Maqedoni dhe gjendjen në Irak.

Pas takimit, Presidenti Bush e vlerësoi lart Maqedoninë pasi i ka treguar botës se popullsi me prejardhje të ndryshme etnike mund të jetojnë së bashku në paqe. Ai tha se diskutimet e tij me zotin Buçkovski u përqendruan edhe tek aspiratat e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO.

Presidenti Bush e falenderoi zotin Buçkovski edhe për dërgimin e trupave maqedonase në Irak e Afganistan. Udhëheqësi maqedonas tha se forcat e tij do të qëndrojnë në ato vende përsa kohë të jetë e nevojshme.

Zoti Buçkovski u takua po të mërkurën edhe me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld.

Kryeministri i Maqedoni, Vllado Buçkovski, ishte i ftuar të mërkurën paradite në Fondacionin Heritage, ku mbajti një fjalim me temë: Ndërtimi i një Perspektive të Re Demokratike për Ballkanin, në të cilin ai theksoi rëndësinë e vendosjes dhe ruajtjes së paqes në rajon. Kryeministri Buçkovski tha se diskutimi i kësaj teme është i përshtatshëm dhe bëhet në kohën e duhur. Në të ardhmen e afërt, tha ai, ne do të jemi dëshmitarë të një përcaktimi masiv të terenit gjeopolitik të këtij rajoni dhe të gjithë Evropës, ndërsa diskutohen dhe bëhen përpjekje për zgjidhen e disa çështjeve shumë të rëndësishme, përfshirë statusin përfundimtar të Kosovës.

Kryeministri Buçkovski vlerësoi lart mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Maqedoninë gjatë gjithë periudhës pas komuniste, duke e cilësuar Washingtonin si parnerin kryesor të Shkupit. Ai vlerësoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara si garantuesin kryesor të Marrëveshjes së Ohrit, që ndihoi Maqedoninë të bëhej modeli kryesor i demokracisë shumë-etnike në Ballkan, siç u shpreh ai.

I pyetur rreth qëndrimit të qeverisë së tij rreth statusit përfundimtar të Kosovës, kryeministri Buçkovski tha se Madonia është gati të jetë një lojtare e vogël por shumë konstruktive në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ne jemi gati të tregohemi konstruktivë dhe të dërgojmë sinjal pozitiv nga Shkupi në Prishtinë e në Beograd. Shkupi, tha kryeministri Buçkovski, është i gatshëm të njohë çdo zgjidhje të statusit të Kosovës, që respekton integritetin territoril të Maqedonisë.

Zoti Buçkovski theksoi se problemi më i madh në bisedimet Prishtinë-Beograd do të jetë, siç u shpreh ai, organizimi i ri territorial. Sipas tij, decentralizimi do të jetë me të vërtetë sfida më e madhe për Prishtinën dhe Beogradin që të gjejnë kompromis.

Gjatë fjalimit të tij, kryeministri maqedonas preku një gamë të gjerë çështjesh, mes tyre gjendjen e sigurisë, zhvillimin ekonomik, investimet, si faktorë që ndikojnë në ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e një perspektive të re demokratike për Ballkanin, që ishte edhe tema e fjalimit të tij. NATO-ja, tha ai, është kritike për sigurimin tonë kolektiv dhe së bashku me partnerët e Kartës së Adriatikut, Shqipërinë dhe Kroacinë, mezi presim të antarësohemi në këtë aleancë. Deri sa kjo të ndodhë, shtoi kryeministri maqedon, të tre vendet do të bashkëpunojnë me vendet aleate për të forcuar strukturat e sigurimit, për të zbatuar reformat e duhura dhe për të demonstruar aftësitë dhe gadishmërinë ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Të enjten zoti Buçkovski është ftuar nga Zëri i Amerikës për një konferencë shtypi. Të premten zoti Buçkovski do të marrë pjesë në New York në një Konferencë dhuruesish të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim për Maqedoninë. Ndalesa e fundit gjatë vizitës së kryeministrit maqedonas në Shtetet e Bashkuara do të jetë një ndalesë në Detroit, ku do të takohet me udhëheqësit e komunitetit të maqedonasve të Amerikës.

XS
SM
MD
LG