Lidhje

Presidenti Bush duhet t’i rikthehet shqyrtimit të kandidaturave për postin e Gjykatës së Lartë


Presidenti Bush duhet përsëri të shqyrtojë kandidatët për postin e Gjykatës së Lartë me ekspertë ligjorë, duke lënë të kuptohet se lista është e hapur tani, pas tërheqjes së djeshme të kandidates Harriet Majërs.

Pas një valë kritikash të ashpra nga demokratët si edhe republikanët, zonja Majers tërhoqi kandidaturën e saj për të zëvendësuar anëtaren e Gjykatës së Lartë, Sandra Day O’Conor, e cila do të dalë në pension.

Disa ligjvënës e kritikuan atë për mungesë përvoje juridike, kurse të tjerë vunë në pikëpyetje pikëpamjet e saj si konservatore. Ka pasur edhe mosmarrëveshje lidhur me dokumentet që kanë të bëjnë me shërbimin e saj si këshilltare e Shtëpisë së Bardhë për çështje ligjore.

Presidenti Bush është zotuar të emërojë një kandidat tjetër brenda një kohe të arsyeshme, siç u shpreh, ndërkohë që senatori demokrat Charles Schumer i bëri thirrje presidentit të mos shpejtohet dhe të këshillohet me Senatin.

Disa senatorë kërkojnë që presidenti të emërojë një grua për të zëvendësuar Sandra Day O’Conorin, e cila do të shërbejë në Gjykatën e Lartë derisa të miratohet kandidati i ri. Të tjerë sugjerojnë që kandidati duhet të jetë një konservator i përpiktë kushtetues, një anëtar i pakicave ose një gjyqtar me përvojë i gjykatës së apelit.

XS
SM
MD
LG