Bajrami në Kosovë
Sot në Kosovë, besimtarët myslimanë kremtuan festën e Fitër Bajramit. Besimtarët u mblodhën në mëngjes në xhaminë e madhe "Sulltan Mehmet Fatih", në Prishtinë, ku Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava kërkoi nga populli dhe udhëheqësit vendas unitet të plotë në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës.
Muftiu Naim Tërnava u kërkoi besimtarëve që të angazhohen për një shoqëri të shëndoshë e më humane në Kosovë.
Bajrami në Shqipëri
Po ashtu, mijëra besimtarë muslimanë shqiptarë në Shqipëri festuan sot Fiter Bajramin, një nga ditët më të rëndësishme të fesë së tyre. Ata u mblodhën herët në mëngjes në objektet e tyre të kultit, ku u falën dhe dëgjuan oratorët fetarë që bënin thirrje për përkushtim në besimin tek Zoti dhe dashuri mes njerëzve.
Sipas ritualit, besimtarët shpërndanë dhurata e të holla për të varfërit dhe u mblodhën në dreka dhe takime familjare.
Muslimanëve ua uruan Bajramin miqësisht dhe mjaft besimtarë të feve të tjera. Shqipëria është e njohur për bashkëjetesën mes feve të ndryshme. Presidenti Alfred Moisiu uroi besimtarët për këtë ditë të shënuar me anë të një mesazhi ku vlerësohej lart harmonia ndërfetare, si një faktor për zhvillimin e vendit. Kryeministri Sali Berisha vizitoi Komunitetin Musliman dhe uroi gjithë besimtarët Myslimanë për festën e Bajramit. Ai vlerësoi agjërimin e Ramazanit si një vemendje ndaj skamjes, dhe u shpreh se nuk ka qëllim më të madh sesa nxjerrja e njerëzve prej varfërisë përmes punësimit.