Lidhje

Prishtinë: Pakicat serbe nuk kanë përfaqësim në grupin negociator të Kosovës


Pakicat në Kosovë nuk kanë përfaqësuesit e tyre në grupin negociator të Kosovës. Një pjesë e tyre presin të kenë përfaqësuës në grupet punuese për përgatitjen e delegacionit për bisedime, ndërsa pakica serbe, ka paraqitur dy mundësi, ose të ketë një delegacion të vetin, si delegacion i tretë në bisedime, ose të jetë pjesë e delegacionit të Beogradit.

Prishtina po përgatitet për bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës. Grupi negociator, kryesohet nga Presidenti i vendit Ibrahim Rugova dhe përfshin Kryetarin e Parlamentit, Nexhat Daci, kryeministrin Bajram Kosumi, kryetarin e Partisë Demokratike, Hashim Thaçi, kryetarin e Partisë Ora, Veton Surroi, ndërsa bashkërendues i grupeve të punës është Blerim Shala.

Pakicat nuk janë të përfaqësuara në grupin negociator. Udhëheqësit e serbëve të Kosovës nuk pritet të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedime.

Një nga udhëheqësit kryesorë të tyre, Oliver Ivanoviç, deputet në parlamentin e Kosovës, thotë se tashmë serbët e kanë kaluar fazën kur e kundërshtonin mbajtjen e bisedimeve dhe tani po përgatiten psiqikisht për to, siç shprehet ai. Oliver Ivanoviç: “Serbët e Kosovës do të kenë rol të rëndësishëm në këto bisedime. Në çfarë forme, është çështje tjetër. Ekziston dilema midis serbëve këtu që dëshirojnë të kenë identitet të vetin dhe që dëshirojnë të përfaqësojnë në mënyrë të përshtatshme interesat e serbëve të Kosovës. Mendoj se zgjidhja më e mirë do të ishte të ketë një delegacion të tretë që do të ishte në tryezën e bisedimeve dhe do të ishte e barabartë me delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit. Nuk jam i sigurtë se ky propozim do të kishte mbështetjen e popullsisë këtu, dhe mendoj se do të kishte kundërshtime edhe nga anë të tjera. Prandaj, mbajmë një alternativë rezervë, serbët e Kosovës te jenë pjesë e delegacionit të Serbisë. Mendoj se situata do të zhvillohet ndryshe, muajt e parë do të ketë diplomaci të ecejakeve. Zoti Ahtisari do të vizitojë Kosovën dhe do të bisedojë ndarazi me serbët dhe me shqiptarët dhe pas kësaj, edhe me përfaqësuesit e Serbisë në Beograd. Kjo do të thotë se tri delegacione vec ekzitojnë dhe cështja është çfarë përbërje do të ketë delegacioni. Ne jemi të interesuar që përbërja e delegacionit serb të jetë më e mira. Cili do të jetë statusi i Kosovës, është vështirë të thuhet. Këtë askush nuk e di, as ata që kanë pushtet dhe mundësi për të vendosur. Është shumë e rëndësishme se cilat parime do të vendosë Grupi i Kontaktit dhe në varësi të tyre do të jetë edhe statusi përfundimtar. E di me siguri se asnjë delegacion nuk do të ketë të drejtën e vetos dhe po kështu jam i sigurt se do të respektohet e drejta ndërkombëtare. Nga kjo, përfundimi është se të gjithë duhet të kërkojmë zgjidhje konstruktive dhe të heqim dorë nga kërkesat maksimaliste, edhe pse mendoj se garnitura politike, as në Prishtinë, as në Beograd, nuk ka kapacitet për një gjë të tillë. Pavarësinë, serbët e Kosovës për momentin nuk e shohin si zgjidhje por si shkaktare të problemit dhe të njëjtin qëndrim ka edhe Beogradi zyrtar. Nuk mendoj se serbët e Kosovës apo Beogradi zyrtar, do ta pranonin pavarësinë si zgjidhje të pranueshme”.

Mahir Jakxhikllar, përfaqësues i pakicës turke, deputet në parlamentin e Kosovës thotë se ky komunitet ka shprehur gadishmërinë për të marrë pjesë në grupin negociator. “Për fat të keq, ashtu u vendos. Për hir të mos-pengimit të zhvillimeve në Kosovë, ne votuam për grupin negociator në parlamentin e Kosovës. Tani po presim që të paktën të marrim pjesë në grupet e tjera punuese. Edhe ne jemi pjesë e Kosovës, mendojmë për të ardhmen, dhe dëshirojmë të japim ndihmesën tonë dhe të marrim përgjegjësitë tona. Kosova nuk mund të kthehet pas, vendi i Kosovës është në Evropë, si një shtet i pavarur për të gjithë”.

Xhezair Murati, përfaqësues i pakicës boshnjake, thotë se boshnjakët në Kosovë dëshirojnë të jenë pjesë e një Kosove që nuk do të krijojë probleme, por në bashkëpunim me popullsinë shumicë, do t’i zgjidhë ato. “Çështja e statusit të ardhshëm të Kosovës është shumë e rëndësishme. Si pakicë, ne nuk mund të ndihmojmë shumë përsa i përket cështjeve të përgjithshme që kanë të bëjnë me statusin, por jemi shumë të interesuar që në kuadër të statusit të ardhshëm, të kemi një rol aktiv dhe të dimë cilat janë të drejtat tona në kuadër të atij statusi. Në tri mbledhjet e kaluara të kryesisë së parlamentit, kam shprehur pakënaqësinë tonë për mungesën e një përfaqësuesi tonit në grupin kryesor negociues. Ne mendojmë se statusi i ardhshëm i Kosovës duhet të përcaktohet në bazë të kërkesave të shumicës, mendoj se ky është një nga parimet bazë të demokracisë. Mendojmë gjithashtu që deri tek statusi përfundimtar, duhet të kalojë edhe një kohë, sepse Kosova është ende në një fazë të zhvillimeve politike në të cilën duhet të shohim, ku kemi arritur, në aspektin e respektimit të të drejtave të pakicave. Kjo është çështja jonë. Po kështu kemi të bëjmë me probleme ekonomike që janë të lidhura me statusin përfundimtar. Unë jam optimist se statusi i ardhshëm i Kosovës do të jetë në përputhje me kërkesat e shumicës së qytetarëve të Kosovës, si dhe të boshnjakëve dhe turqve, si pjesë përbërëse të Kosovës”.

Çështja e respektimit të të drejtave të pakicave dhe në veçanti, çështja e pakicës serbe në Kosovë, pritet të jetë një nga cështjet më të rëndësishme në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG