Lidhje

SHBA-të kërkojnë ekstradimin e ish ministrit rus të energjisë atomike


Ish-ministri rus për energjinë atomike, Yevgeni Adamov, apeloi vendimin për ta ekstraduar nga Zvicra në Shtetet e Bashkuara. Zoti Adamov u arrestua nga autoritetet zvicerane në muajin maj, me kërkesë të Departamentit Amerikan të Drejtësisë nën akuzat për mashtrime dhe pastrim parash.

Jevgeni Adamov, ish-ministër për energjinë atomike në vitet 1998-2001, akuzohet për përvetësim të 9 milionë dollarësh nga Departamenti Amerikan i Energjisë. Këto fonde do të përdoreshin për përmirësimin e sigurisë në impiantet bërthamore ruse. Ai akuzohet gjithashtu për bashkëpunim kriminal për të transferuar paratë e vjedhura, bashkëpunim për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, për pastrim parash dhe shmangie taksash. Zoti Adamov i mohon këto akuza. “Është fare pa kuptim”, thotë ai.

Që nga arrestimi i tij këtë vit, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë në garë se cili nga këto vende do ta ekstradojë nga Zvicra ish-ministrin e energjisë atomike. Douglas McNabb është avokat-mbrojtës i një firme ndërkombëtare avokatie me zyra në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. “Shtetet e Bashkuara e duan zotin Adamov për akuzat e ngritura, kurse Rusia e do, sepse, me sa duket, ky zotëri mund të ketë informacion mbi programin bërthamor dhe do të sigurohet që Amerika nuk e merr këtë informacion”.

Nëse shpallet fajtor në Amerikë, ish-ministri mund të dënohet deri me 60 vjet burg dhe 2 milionë dollarë gjoba. Zyrtarët në Moskë gati sa nuk i kanë quajtur akuzat amerikane të pabaza. Shumë politikanë rusë, përfshirë ligjvënësin Alexei Mitrofanov, ngulin këmbë se akuzat dhe vendimi për ta dërguar zotin Adamov në Shtetet e Bashkuara janë të motivuara politikisht. “Jam i sigurtë se është manovër e politikës së jashtme dhe lidhet me trysninë amerikane ndaj Iranit. Amerikanët po përpiqen të bindin Rusinë të ndalë bashkëpunimin e saj bërthamor me Iranin dhe që gjithashtu Rusia të bashkëpunojë më tepër në çështjen e Sirisë”.

Zëri i Amerikës bëri disa përpjekje për të marrë një përgjigje zyrtare nga qeveria amerikane, por askush nuk pranoi të fliste në kamera lidhur me këtë çështje. Zoti McNabb ofron një shpjegim të mundshëm.“Nuk mendoj se qeveria amerikane dëshëron tani për tani të pohojë se ekziston një variant i mundshëm që zoti Adamov mund të bashkëpunojë me të”.

Alexander Bulychev punon në Qendrën për Studime Politike në Moskë. Ai thotë se Kremlini është i shqetësuar lidhur me pasojat politike që mund të sjellë ekstradimi. “Do të ishte tepër e papëlqyeshme për Rusinë, sepse një gjë e tillë do të tregonte se Rusia është një shtet i dështuar, regjim të cilit nuk mund t’i besosh dhe pa dyshim kjo çështje mund të dëmtojë mjaft persona në qarqet poliike ruse, njerëz që mbajnë poste të rëndësishme”.

Por avokati McNabb, nuk është dakord me këtë pikëpamje. “Për mendimin tim, çështja e zotit Adamov nuk është politike, por ka të bëjë me zbatimin e ligjit. Ai është akuzuar për veprimtari penale. Por meqenëse është akuzuar penalisht, ai fare mirë mund t’u japë autoriteteve amerikane informacion që Washingtoni mund ta shfrytëzojë politikisht”.

Vendimi i zyrtarëve zviceranë mbi apelin e zotit Adamov do të marrë disa muaj. Nëse ish-ministri për energjinë atomike humbet apelimin dhe ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, vëzhgues në Moskë thonë se kjo do të ndikonte në marrëdhëniet amerikano-ruse.

XS
SM
MD
LG