Lidhje

Përfundon takimi i Busanit


Udhëheqësit e rajonit të Azisë dhe Paqësorit i dhanë fund takimit në Busan të Koresë së Jugut, duke bërë thirrje për përpjekje më të mëdha për të hapur tregjet botërore dhe masa më të mëdha për ndaluar përhapjen e epidemisë së gripit të shpendëve.

Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit e 21 vendeve të Forumit Ekonomik të Azisë dhe Paqësorit u shprehën se Bashkimi Evropian duhet të jetë më fleksibël për bisedimet globale tregëtare. Bashkimi Evropian nuk pranon të bëjë shkurtime të tarifave të importeve bujqësore, në se vendet në zhvillim nuk bien dakort më parë t’i hapin më shumë tregjet e tyre për mallrat evropiane.

Në takimin e Azi Paqësorit morën pjesë edhe Presidentët e Amerikës, Kinës dhe Rusisë. Presidenti i Koresë së Jugut, vendit organizator të takimit tha se udhëheqësit e përshëndetën përparimin e arritur në bisedimet 6 palëshe për programin bërthamor të Koresë së Veriut, por po ashtu bënë thirrje për përparim më thelbësor në të ardhmen.

Në deklaratën përfundimtare thuhet se udhëheqësit ranë dakort për të shtuar përpjekjet për të mos lejuar përhapjen e gripit të shpendëve. Delegatët po ashtu dënuan terrorizmin dhe ranë dakort që masat anti-terroriste të përputhen me ligjet ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG