Lidhje

Kisha Ortodokse serbe kërkon nga Marti Ahtisari siguri për objektet fetare edhe pas zgjidhjes së statusit të Kosovës


Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë thanë sonte se prania ndërkombëtare edhe më tej është e domosdoshme në Kosovë për mbrojtjen e tempujve fetar dhe të pakicës serbe.

Këto komente ata i bënë pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Marti Ahtisari i cili vizitoi manastirin e Deçanit në Kosovën perëndimore. Ai tha shkurt se është i kënaqur me mundësinë për të vizituat manastirin dhe për të biseduar me udhëheqësit e tij për gjendjen në Kosovë dhe pikëpamjet e tyre.

Peshkopi Teodosije, një nga drejtuesit e manastirit tha se edhe gjashtë vjet pas luftës në Kosovë ende nuk ka liri të mjaftueshme të lëvizjes e as të punës dhe veprimtarisë.

“Edhe më tej është e nevojshme mbrojtja ndërkombëtare e manastireve tona dhe prania e dukshme e forcave të KFOR-it dhe presim që në bisedimet e ardhshme për statusin e Kosovës të ketë siguri për tempujt fetar"- tha peshkopi Teodosije”.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari e quajti sot fillim të mirë edhe takimin e parë të tij me ekipin e negociuesve të Kosovës, të cilët i kanë paraqitur zotit Ahtisari pozicionet e tyre kundruall procesit të negocimit të statusit të Kosovës, që siç është thënë në dokument duhet të jetë pavarësia e saj.

Zoti Ahtisari nesër pritet të takojë edhe përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, ata të pakicave tjera në Kosovë dhe përfaqësuesit e vendeve të Grupit të Kontaktit.

XS
SM
MD
LG