Lidhje

Kosovë: Kundërshtohet propozimi i presidentit serb për ndarjen e Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi hodhi poshtë sot çdo ide për ndarjen e tërësisë tokësore të Kosovës duke i cilësuar përpjekje të tilla si veprime në kundërshtim më vullnetin e qytetarëve të Kosovës por edhe me qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare. Komentet e tij pasuan propozimin që presidenti i Serbisë Boris Tadiq i ka dorëzuar sot edhe zyrtarisht qeverisë së Serbisë si pjesë të platformës për bisedimet lidhur me statusin e Kosovës.

Presidenti serb, i cili një javë më parë e përmendi këtë ide në një takim me presidentin rus Vladimir Putin, sot ka theksuar se në Kosovë duhet të krijohen dy tërësi, një më shumicë serbe dhe një më shumicë shqiptare, ndërsa Kosova sipas tij duhet të mbetet pjesë e Serbisë. Bashkë me këtë propzoim është bërë e ditur se Beogradi ka krijuar edhe ekipin e vet të negociuesve që do të udhëhiqet nga presidenti serb Boris Tadiq, kryeministri Vojislav Koshtunica dhe ministri I jashtëm Vuk Drashkoviq. Në delegacion janë përfshirë edhe personalitetet të tjera të qeverisë serbe.

Krijimi i delegacionit dhe hedhja e propozimit për ndarje të Kosovës në baza etnike, janë bërë në të njëtën kohë kur në Beograd po qëndron i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Marti Ahtisaari. Mbrëmë në përfundim të vizitës së tij në Prishtinë, zoti Ahtisari hodhi poshtë çdo mundësi të ndarjes së Kosovës, një qëndrim ky i shprehur edhe nga zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë dhe i përmbledhur në parimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha sot pasdite se propozimi i zotit Tadiq është i papranueshëm dhe njëkohësisht është thirrje për ripërtëritje të konflikteve të reja në këtë pjesë të Evropës. “Qeveria e Serbisë ka pasur rastin që njëherë e përgjithmonë te diferencohet nga politikat që janë krijuar për dekada të tëra në Beograd. Në lidhje me politikat etnike që kanë sjellë deri tek disa luftëra, gjakderdhje dhe gjenocide. Fatkeqësisht, Qeveria e Beogradit po tregon se nuk është e gatshme që të diferencohet nga ato politika dhe nuk është ende e përgatitur dhe e gatshme të shkëputet nga ajo e kaluar dhe të orientohet, sikurse vendet e tjera të rajonit drejt proceseve të reja historike dhe drejt një Evrope me vlera të reja”, tha kryeministri Kosumi.

Zoti Kosumi tha se Kosova i ka kufijt e saj dhe çdo përpjekje për ndarje të saj është thirrje e skajshme. Kosova, tha ai, dëshiron që në paqe të zgjidhë problemet me fqinjët dhe duke u bërë një shtet i pavarur ajo do të ndikonte në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon. Ai tha se çfarëdo planesh për mbetjen e Kosovës në kuadër të Serbisë, pavarësisht se prej nga vijnë, janë të papranueshme dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Pavarësia e Kosovës, theksoi ai, është e panegociueshme, ndërsa çdo përpjekje për një zgjidhje gjysmake që nuk do të përmbushte synimet e qytetarëve të Kosovës, sjell vetëm pasiguri e destabailitet edhe në tërë rajonin.

XS
SM
MD
LG