Lidhje

Sekretarja Rajs jep përgjigjen e administratës ndaj akuzave për burgje sekrete dhe abuzim të të ndaluarve


Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleeza Rice i njohu kolegët evropianë dhe ata të NATO-s me përgjigjen e administratës së Presidentit Bush ndaj akuzave se CIA ka keqtrajtuar të dyshuarit për terroristë dhe se ka patur burgje të fshehtë në Evropë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer tha sot se shpjegimi që dha zonja Rice ua sqaroi këtë çështje aleatëve të Washingtonit.

Çështja e të ashtuquajturit abuzim të të burgosurve e ka mbizotëruar vizitën e zonjës Rice në Bruksel, ashtu sikurse në vizitat e saj më parë në Berlin, Bukuresht dhe Kiev. Si zyrtarët amerikanë, edhe ata evropianë thonë se shpjegimet e saj, në një farë mase e kanë lehtësuar shqetësimin ndërkombëtar lidhur me praktikat e ndalimit të përdorura nga Shtetet e Bashkuara.

Sekretarja e Shtetit e filloi udhëtimin e saj të hënën, me një deklaratë ku theksohej se Shtetet e Bashkuara nuk lejojnë, durojnë, apo i falin torturat, dhe as nuk do të lejonin transportimin e të burgosurve nën akuzat për terrorizëm në vende ku zyrtarët amerikanë do të mendonin se mund të torturoheshin. Ndërsa nuk pranoi të pohonte, apo mohonte ekzistencën e burgjeve të CIA-s, ajo tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk kanë shkelur sovranitetin e vendeve që bashkëpunojnë në operacionet anti-terrorizmit të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara. Ajo e sqaroi më tej daklaratën e saj në takimet me udhëheqësit evropianë që morën pjesë mbrëmë në një darkë të ngushtë vetëm me minstrat e jashtëm të 32 vendeve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Një zyrtar i lartë amerikan, që i informoi gazetarët, tha se zonja Rice u largua nga darka, duke i lënë të kënaqur me sqarimet e saj zyrtarët evropianë lidhur me atë që ai tha se kishte qenë një diskutim serioz mbi dilemën që përbën terrorizmi, një diskutim që nuk u karakterizua nga prirje politike tendencioze dhe të shtirura.

Më vonë, në një konferencë shtypi, pas takimit të Ministrave të NATO-s që vazhdon edhe nesër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Scheffer, tha se debatet në Evropë lidhur me këtë çështje duket se janë qetësuar: "Mendoj se ishte një diskutim i mirë që e sqaroi çështjen. Sekretarja Rice bëri një sqarim të mirë në kuadrin e dialogut politik, dialogut politik transatlantik që ne të gjithë e vlerësojmë. Mendoj se ishte logjike dhe e natyrshme që kjo çështje u diskutua në darkën e mbrëmshme".

Pas shefit të NATO-s në fjalën e mori sekretarja Rajs, e cila tha se vlerësonte mbështetjen që mori nga homologët e saj evropianë. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara janë një vend që respekton ligjet dhe se administrata e presidentit Bush nuk do t’u kërkojë qytetarëve amerikanë që të shkelin ligjin ose detyrimet ndërkombëtare të Amerikës. Por ajo tha gjithashtu se nuk mund të përjashtohen skandale abzimesh në të ardhmen “A do të ketë abuzime të politikës? Kjo është plotësisht e mundur, sepse demokraci nuk do të thotë përsosmëri. Ne pamë në Irak në burgun Abu Graib se nën kornizën tradicionale të Konventës së Gjenevës u ndeshëm me veprime që nuk përputheshin me politikën amerikane. Dhe këto veprime u hetuan në imtësi dhe autorët e tyre janë dënuar. Ky është i vetmi premtim që mund të bëjnë para popullit: në se arrijmë në përfundimin se ka pasur abuzime ne do t’i hetojmë ato dhe do të dënojmë autorët.”

Disa ministra të jashtëm evropianë u thanë gazetarëve se ishin siguruar nga komentet publike dhe private të sekretares Rajs. Mes pjesëmarrësve në takim ishte edhe ministri i jashtëm holandez, Bernard Bot, qeveria e të cilit ka qënë veçanërisht kritike ndaj politikës amerikane. Por si zyrtarët evropianë ashtu edhe ata amerikanë thanë se nuk presin që kjo çështje të zgjidhet së shpejti, duke pasur parasysh mes shumë çështjesh të tjera, refuzimin nga ana e Shteteve të Bashkuara që të merren drejtëpërdrejtë me akuzat lidhur me burgjet sekrete të CIA-s në Evropë.

XS
SM
MD
LG