Lidhje

Birmani: Fituesja e çmimit Nobel të Paqes, Aung San Su Ki, vazhdon të mbahet nën arrest


Junta ushtarake në Birmani zgjati paraburgimin e Aung San Su Ki, udhëheqëse pro-demokrate dhe fituese e çmimit nobel të paqes. Aung San Su Ki ka qenë në paraburgim që prej majit të vitit 2003, kur grupe të armatosura, të lidhur me qeverinë, sulmuan autokolonën e saj. Ajo u burgos dhe pastaj u transferua në arrest shtëpiak.

Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Sean McCormack thotë se Shtetet e Bashkuara i dënojnë veprimet e qeverisë birmaneze.

“Regjimi i Birmanisë, nuk ka arritur të ngrejë asnjë akuzë kundër Aung San Su Kisë për vepra penale, dhe thotë se e mban në arrest shtëpiak për ta mbrojtur.”

Në zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan në maj të vitit 1990, partia e Aung San Suu Kisë Lidhja Kombëtare për Demokraci, fitoi 392 nga 485 vendet. Por junta ushtarake nuk pranoi t’i respektonte rezultatet e zgjedhjeve.

Sot, Aung San Su Ki dhe rreth 1 mijë e 100 birmanezë të tjerë vazhdojnë të mbahen në burgje për shprehjen paqësore të mendimeve të tyre politike. Në qershor, me rastin e 60 vjetorit të lindjes, u zhvilluan demostrata para ambasadave birmaneze në të gjithë botën. 14 fitues të çmimit nobel kanë bërë thirrje për lirimin e Aung San Su Kisë.

Sekretarja e shtetit Kondolisa Rice bëri publike një letër që i kishte dërguar Aung San Su Kysë ku përsëriste se Shtetet e Bashkuara ishin pranë saj “dhe të gjithë të tjerëve që përpiqen për të çliruar popullin birmanez.” Një ish punonjës i qeverisë në pension, që jeton në Rangoon, qyteti më i madh i Birmanisë thotë se Aung San Su Ki “është shumë e rëndësishme për vendin pasi vetëm për shkak të saj, Birmanisë i kushtohet vëmendje ndërkombëtare.”

Siç tha dhe zëdhënësi i departamentit të shtetit McCormack, “zgjatja e gjendjes së arrestit për Aung San Su Kinë është edhe një tjetër hap i gabuar për udhëheqësit ushtarakë birmanezë. Për ta çuar vendin drejt demokracisë dhe pajtimit kombëtar, regjimi i këtij vendi duhet të lirojë Aung San Su Kinë dhe të gjithë të burgosurit politikë, dhe të fillojë një dialog konstruktiv me opozitën demokratike dhe me grupet politike të pakicave etnike.”

XS
SM
MD
LG