Lidhje

10 dhjetori dita e të drejtave të njeriut


Para 15 vjetësh më 10 dhjetor të vitit 1990, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, një dokument ky mbi standartet e respektimit të të drejtave të njeriut për të gjithë popujt dhe vendet e botës.

Respektimi i të drejtave të njeriut ka qënë për një kohë të gjatë gurëthemeli i politikës së jashtme amerikane. Sot, tha presidenti Bush, zemrat dhe mëndjet po hapen për mesazhin e lirisë njerzore si kurrë më parë. Ne duhet të inkurajojmë aspiratat e tyre.

Për shembull, gjatë 2 vjetëve të fundit miliona njerëz kanë marë pjesë në zgjedhje të lira në Afganistan, Irak, Liban, territoret palestineze, Ukrainë dhe në Gjeorgji. Mënyra më e mirë për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut është demokracia e krijuar në bazë të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat ruajnë dhe mbrojnë lirinë dhe të drejtat e njeriut.

Demokracia mund të marë forma të ndryshme në kultura të ndryshme, megjithatë të gjitha shoqëritë e lira kanë disa gjëra të përbashkëta: respekt të gjithanshëm për të drejtat e njeriut, trajtimin e grave dhe pakicave si qytetarë me të drejta të plota, liria e fjalës dhe e fesë dhe shteti ligjor.

Fondi i Ri i Kombeve të Bashkuara për Demokracinë i krijuar nga Sekretari i Përgjithshëm me kërkesë të presidentit Bush krijon një mundësi për Kombet e Bashkuara që të ndihmojnë vende të ndryshme të kultivojnë dhe të përhapin demokracinë.

Shtetet e Bashkuara dhe India kanë luajtur një rol kryesor, duke u zotuar për të dhënë secila 10 milion dollarë për të filluar këtë fond. Edhe vende të tjera janë zotuar ta financojnë këtë fond, duke e çuar në 44 milion dollarë shumin fillestare për të.

Kombet e Bashkuara sigurojnë gjithashtu një forum në të cilin konfrontohen ata që shtypin të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë mbështetur thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm për ta zëvëndësuar komisionin e tanishëm të të drejtave të njeriut me një këshill të ri më të efektshëm, i cili do të kishte më pak anëtarë, më pak politika dhe më shumë besueshmëri.

Kombet e Bashkuara, tha presidenti Bush, kanë luajtur për një kohë të gjatë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Kjo organizatë u krijua për të përmbushur këto sfida, duke tërhequr instinktet më të mira të njerzimit, fuqinë e botës e bashkuar në një qëllim të përbashkët. Me guxim dhe ndërgjegje, ne do të përmbushim përgjegjësitë tona për të mbrojtur jetën dhe të drejtat e të tjerëve.”

“Dhe kur ta bëjmë këtë, tha presidenti Bush, ne do të ndihmojmë në përmbushjen e premtimit të Kombeve të Bashkuara, dhe do të sigurojmë që çdo qënie njerzore të gëzojë paqen, lirinë dhe dinjitetin që Krijuesi ynë ka synuar për të gjithë ne.”

XS
SM
MD
LG