Lidhje

Shtetet e Bashkuara vendosin sanksione ndaj 9 kompanive që kanë ndihmuar Iranin


Administrata e Presidentit Bush tha dje se ka vendosur sanksione ndaj nëntë kompanive të huaja që i kanë shitur Iranit paisje mekanike dhe materiale për armë të shkatërrimit në masë. Gjashtë nga firmat e penalizuara janë kineze, dy nga India dhe një nga Austria.

Këto sanksionet ishin nga më masivet që kur Kongresi miratoi para pesë vjetësh ligjin kundër mospërhapjes bërthamore për Iranin. Ato pasqyrojnë përpjekjet amerikane për t’ia ndërprerë Iranit burimet e materialeve për armët e shkatërrimit në masë.

Departamenti i Shtetit tha se sanksionet me afat njëvjeçar kundër nëntë kompanive hynë në fuqi më 23 dhjetor dhe nuk do t’i lejojnë ato që të kryejnë biznes me qeverinë e Shteteve të Bashkuara ose të blejnë paisje dhe produkte amerikane të teknologjisë së lartë.

Gjashtë nga firmat që përballen me sanksione janë kineze dhe përfshijnë tre kompani mbi të cilat janë vendosur sanksione në të kaluarën për shkelje të aktit të Kongresit të vitit 2000.

Një prej tyre, Grupi për Industritë e Kinës veriore, i njohur si Norinco është përmendur vazhdimisht se ka shkelur ligjin.

Të dyja kompanitë indiane të përmendura janë eksportuese të lëndëve kimike. Firma austriake Steyr-Mannlicher është e njohur si prodhuese e armëve moderne.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Adam Ereli u tha gazetarëve se të nëntë firmat po u nënshtrohen sanksioneve në bazë të informacionit të besueshëm se kanë dërguar në Iran paisje, ose teknologji nga një listë mallrash të ndaluara për eksport.

Ai i mbroi sanksionet megjithëse ato do të kenë vetëm vlerë simbolike për disa nga kompanitë e përmendura, të cilat nuk kanë marrëdhënie tregtare me Shtetet e Bashkuara. Ai tha se lista do t’i ekspozojë firmat ndaj kontrollit të qeverive të vendeve të tyre, si edhe komunitetit ndërkombëtar.

“Është një instrument i rëndësishëm dhe efektiv për të penguar përpjekjet iraniane për të prodhuar raketa dhe armë të shkatërrimit në masë. Mendoj se ka ndikim veçanërisht për të paralajmëruar qeveritë për aktivitete në vendet e tyre dhe për marrjen e masave për të parandaluar këto lloj aktivitetesh”, tha zoti Ereli.

Zoti Ereli tha se megjithëse reagimet e qeverive të huaja ndaj sanksioneve për Iranin kanë qenë të ndryshme, Shtetet e Bashkuara kanë siguruar një bashkëpunim të mirë nga Austria, në rastin e fundit.

Ai tha se përhapja e armëve është një çështje delikate dhe se gjithmonë do të ketë nga ata që do të vendosin interesat e tyre tregtare para të mirës së përgjithshme.

Mbi 40 firma dhe individë janë përmendur se kanë shkelur aktin që kur u vendosën sanksionet e para në vitin 2001.

Shumë nga këto kompani janë kineze megjithëse qeveria e Pekinit e mohon se ajo vetë, ose kompanitë kineze i kanë dhënë teknologji të lidhur me raketat ose armët Iranit, apo vendeve të tjera që përbëjnë shqetësim.

Në një raport publik të CIA-s në kongres në nëntor thuhej se Irani po zhvillonte programe armësh bërthamore dhe kimiko-biologjike dhe po e drejtonte vëmendjen për të blerë në vende si Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Evropa.

Në raportin e CIA-s vlerësohej Kina për ndërmarrjen e disa hapave pozitivë kundër përhapjes së armëve bërthamore, por thuhej se qëndrimi i kompanive kineze vazhdonte të përbënte një shqetësim të madh.

Aty thuhej se kompanitë kineze kishin ndihmuar Iranin t’i afrohej synimit për të realizuar prodhimin e raketave balistike.

Në raport thuhej gjithashtu se kishte të dhëna se firma kineze kishin furnizuar Iranin me të ashtuquajtura paisje me dy përdorime, që mund të përdoren për armë kimike.

XS
SM
MD
LG