Lidhje

Kryeministri Sharon përsëri në gjendje të rëndë shëndetësore


Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, iu nënshtrua një operacioni urgjent prej 5 orësh për të ndalur hemoragjinë në tru. Siç njofton nga Jeruzalemi korrespondenti i Zërit të Amerikës, mjekët e zotit Sharon thonë se operacioni ishte i suksesshëm, megjithatë kryeministri izraelit vazhdon të jetë në gjendje kritike.

Beteja për jetën e kryeministrit Sharon hyri në një fazë të re kur sot në mëngjes mjekët e kthyen atë me nxitim në dhomën e operacionit për herë të tretë në më pak se 48 orë. Analizat e fundit treguan një ripërtëritje të hemoragjisë dhe ndërlikime të tjera. Pas një operacioni një orësh, drejtori i spitalit Hadasah, Shlomo Mor-Josef, doli për të informuar qindra gazetarë.

“Gjatë operacionit u lehtësua presioni i krijuar brënda kafkës, pllakëzat e gjakut nga operacioni i mëparshëm u hoqën prej trurit dhe tani hemoragjia është ndërprerë.”

Dr. Mor-Josef tha se një analizë tjetër pas operacionit të fundit ishte inkurajuese:

“Pas operacionit, ne bëmë një analizë tjetër, krahasuam rezultatet me një analizë të mëparshme dhe mundëm të shikonim një përmirësim të madh.”

Dr. Mor-Josef tha se megjithëse rezultatet e analizës së fundit janë më të mira se sa të mëparshmet, kryeministri Sharon vazhdon të mbetet në gjendje kritike. Dy djemtë e zotit Sharon, Omri dhe Gilad, i qëndrojnë atij pranë. Kryeministri izraelit është martuar dy herë dhe gratë i kanë vdekur.

Zyrat qeveritare u mbyllën sot me rastin e Shabatit hebraik, që filloi në muzg. Kryeministri i përkohshëm izraelit, Ehud Olmert, dhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë po ndjekin nga afër gjendjen e zotit Sharon. Një politikan i njohur izraelit, ish kryeministri Shimon Peres, shkoi sot në spitalin Hadasah.

Zoti Peres, udhëheqës i vjetër i Partisë Laburiste, i cili kohët e fundit u bashkua me partinë e sapo formuar Kadima të zotit Sharon, shprehu mbështetje për zoti Olmert dhe për vazhdimin e vijës politike në Izrael.

“Në bazë të kushtetutës, ligjërisht zoti Olmert është kryeministër në detyrë. Mendoj se çdo qytetar duhet ta mbështesë atë. Unë i uroj atij sukses dhe shpresoj që procesi i paqes dhe përpjekjet për t’u dhënë fund akteve terroriste të vazhdojnë.”

Edhe ndërsa Ariel Sharoni luftonte për jetën, u ndezën spekullimet se kush do ta zëvëndësojë atë. Sipas rezultateve të anketave të njoftuara sot, partia e sapo krijuar Kadima e zotit Sharon ende mund të fitojë në zgjedhjet izraelite të 28 marsit.

Ende nuk është e qartë se kush do ta udhëheqë partinë pas largimit të zotit Sharon, por anketat e opinionit tregojnë se shumë izraelitë do të mbështesnin zotin Ehud Olmert si udhëheqësin e ri të partisë. Joshua Teitelbaum, pranë Qendrës Moshe Dayan dhe profesor në Universitetin e Tel Avivit, thotë se rezultat e anketave të opinionit ka të ngjarë të ndryshojnë deri në ditën e zgjedhjeve.

“Për sa u përket anketave, mendoj se duhet t’i marrim me rezervë. Mendoj se kemi të bëjmë me një votë simpatie. Partia Kadima mund të humbasë mbështetje pas pak ditësh ose javësh. Kadima ishte partia e zotit Sharon në çdo drejtim dhe pa zotin Sharon ajo do të humbasë mbështetje.”

Anketat e opinionit të kryera para hemoragjisë cerebrale të zotit Sharon të mërkurën tregonin se ai gëzonte një mbështetje të madhe për të fituar një mandat të tretë historik për postin e kryeministrit.

XS
SM
MD
LG