Lidhje

Jenkins: Statusi i Kosovës duhet të zgjidhet shpejt, që të shmangen trazirat e mundshme


Aleanca për një Kosovë të Re, një organizatë e re për marrëdhëniet publike që ka për synim të nxisë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e çështjes së Kosovës beson se pavarësia është jo vetëm një zgjidhje e dëshirueshme nga shumica e popullit të Kosovës, por një zgjidhje e logjikshme për të gjithë ata që duan qëndrueshmërinë dhe përparimin e rajonit. Drejtori ekzekutiv i Aleancës Kempton Jenkins thekson se pavarësia e Kosovës do të mundësonte hapjen e kufijve, futjen e investimeve dhe integrimin e mirëfilltë të rajonit në ekonominë globale, si kusht bazë për qëndrueshmëri dhe zhvillim.

Zëri i Amerikës: Zoti Jenkins, ku është përqëndruar Aleanca për Kosovën e Re në përpjekjet e saj?

Kempton Jenkins: Ne jemi të angazhuar në përpjekjet për të bërë realitet zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe për të theksuar se kjo është një çështje shumë urgjente. Duke pasur parasysh papunësinë e lartë, është thjesht çështje kohe para se elementët ekstremistë të fillojnë të krijojnë trazira. Pra angazhimi i shpejtë është shumë i rëndësishëm. Mendoj se është një fakt pozitiv që administrata aktuale e ka të qartë se nuk mund të ruhet kjo gjendje dhe se procesi i zgjidhjes së statusit duhet bazuar në parimin se e ardhmja e Kosovës është në duart e popullit të Kosovës. Për mua kjo nënkupton se zgjidhja do të jetë pavarësia, pasi shumica dërrmuese e popullsisë e kërkon këtë zgjidhje.

Zëri i Amerikës: Si mendoni se do të ndikojë emërimi i ambasadorit amerikan Frank Wisner si përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në këto negociata. A e ka ai përvojën e duhur në çështjet e Ballkanit?

Kempton Jenkins: Ata që e njohin zotin Frank Wisner nuk kanë dyshime. Ai është një negociator tepër i aftë. Këtë aftësi e ka treguar gjatë karrierës si ambasador në shumë pika të nxehta të globit, përfshirë Indinë dhe Egjiptin. Edhe në këto raste ai nuk ishte as specialist i çështjeve arabe, as atyre indiane, por ai është shumë i zoti në negociata. Jam i bindur se ndikimi i tij në këtë proces do të jetë shumë i madh. Ai ka punuar nga afër me Sekretaren e Shtetit Rice, nënsekretarin Burns dhe e ka plotësisht të qartë se çfarë synojnë ata. Ai do të jetë një forcë që do ta shtyjë përpara procesin.

Zëri i Amerikës: Sa e vështirë është zgjidhja e statusit të Kosovës nga pikëpamja e marrëdhënieve ndërkombëtare? Ka patur shqetësime se kjo mund të krijonte një precedent të rrezikshëm për zgjidhjen e konflikteve të tjera.

Kempton Jenkins: Specialistët e fushës akademike e kanë shumë të lehtë të flasin, pasi ky është fokusi i punës së tyre: gjetja e precedenteve për t’ua bashkangjitur problemeve që mund të shfaqen në të ardhmen. Ka plot vende në mbarë botën ku mund të duket se çështja e Kosovës mund të shihet si precedent. Por në marrëdhëniet ndërkombëtare, precedentët janë pa vlerë. Kemi një problem konkret që ekziston sot dhe duhet zgjidhur në këtë realitet. Se çfarë mund të nënkuptojë kjo zgjidhje ta zëmë për pavarësinë e Porto Rikos nga Shtetet e Bashkuara apo për pavarësinë e Abkazisë nga Gjeorgjia, kjo s’ka asnjë rëndësi. Këto çështje duhen zgjidhur duke pasur parasysh kushtet në terren. Megjithatë, duhet pasur parasysh skena politike në Beograd, por në fund të fundit të gjithë ne që përpiqemi për qëndrueshmërinë politike dhe begatinë ekonomike të rajonit besojmë se kur Serbia të çlirohet nga përgjegjësia politike që sjell çështja e Kosovës, kjo do të jetë më mirë. Ajo do të jetë një partnere më e efektshme ekonomike dhe tregtare për fqinjët në rajon. Ne mbështesim fuqishëm idenë e bashkëpunimit ekonomik rajonal. Nëse krijohet një strukturë më e madhe rajonale, ku të hapen kufijtë për tregtinë, atëherë shkëmbimet tregtare do të zhvillohen më tepër bazuar në realitetin ekonomik se sa në armiqësitë politike apo etnike. Unë jam optimist dhe besoj se ekonomia është baza që do t’i shtyjë të gjitha vendet në rajon drejt bashkëpunimit, do të sjellë përmirësimin e mbarë rajonit dhe një jetë më të mirë dhe pikërisht këtë synon çdo njeri. Angazhimi i Kosovës në shkëmbimet rajonale kërkon investime. Por investimet nuk futen dot pa pasur qëndrueshmëri dhe nëse këto negociata përfundojnë me sukses, do të fillojë edhe hyrja e investimeve.

Zëri i Amerikës: Shqiptarët në Kosovë prej kohësh kanë ngulmuar të marrin në duar më shumë përgjegjësi dhe tani që ata marrin Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Rendit duket se lufta për pushtet ka marrë përparësi. Çfarë këshille do të kishit ju për Prishtinën në këto momente?

Kempton Jenkins: Politika e brendshme, siç e shohim edhe nga zhvillimet këtu në Uashington shoqërohet gjithmonë me përplasje. Kjo është normale, pasi e tillë është demokracia. Unë jam përpjekur të nxis miqtë e mi në Prishtinë drejt objektivit të përbashkët: ata duhet të arrijnë në një qëndrim të përbashkët negociues dhe ta pranojnë faktin se në negociata duhet të dialogojnë me vendet fqinje dhe nuk mund të thonë se do të negociojnë vetëm me Kombet e Bashkuara. Gjatë javëve të fundit kemi parë disa shenja pozitive se në Prishtinë shqiptarët po organizohen. Pala serbe është e organizuar mjaft mirë, por ajo ka si objektiv që procesi të zhvillohet me ritme jo shumë të shpejta, ndërkohë që shqiptarët në Kosovë duan që procesi të ecë sa më shpejt. Kryeministri Kosumi deklaroi kohët e fundit se dëshiron të shohë shpalljen e pavarësisë deri në qershor. Unë do të thoja se do të doja të shihja përfundimin e suksesshëm të negociatave brenda këtij viti. Mendoj se ky është objektivi i administratës amerikane dhe i zotit Ahtisaari.

Zëri i Amerikës: Problemet shëndetësore të Presidentit Rugova kanë ngritur shqetësimin se mund të pengojnë procesin e negociatave. A ka vend për këto shqetësime dhe cilat forca politike mendoni se mund të dalin në skenë ndërkohë?

Kempton Jenkins:Të gjithë janë të shqetësuar dhe të gjithë e vlerësojnë rolin simbolik që ai ka luajtur në ndërgjegjësimin e popullatës, por Kosova ka udhëheqës të tjerë të angazhuar në proces. Ka një numër politikanësh të përgjegjshëm dhe të aftë në skenë. Kapaciteti njerëzor ekziston dhe prej tij do të dalin udhëheqësit. Nuk u takon Shteteve të Bashkuara që të identifikojnë një udhëheqës. Sekretarja e Shtetit Rice është angazhuar për nxitjen e demokracisë, dhe kjo nënkupton që edhe në Kosovë do të veprohet kështu.

Zëri i Amerikës: Pakicat serbe në Kosovë duket se do të përfaqësohen në negociata përmes delegacionit të Beogradit. A mendoni se kjo zgjedhje e tyre i dëmton interesat e këtij komuniteti?

Kempton Jenkins: Mendoj se ky qëndrim është i gabuar. Megjithatë përçarjet ndërmjet qeverisë serbe dhe pakicës serbe mund të mos jenë aq të rëndësishme. Të gjithë e kanë të qartë se publikisht Serbia thotë se nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës, por në qarqe të mbyllura në Serbi e kanë të qartë se realiteti është ndryshe. Pakicat në Kosovë po tkurren, pasi të rinjtë largohen të tërhequr nga mundësitë më të mëdha në Beograd dhe gjetkë, pra numri i popullsisë serbe po zvogëlohet. Interesat e tyre janë të qarta dhe ne e kemi të qartë se të drejtat e pakicave duhet të merren në konsideratë. Në fund të fundit demokracia është sundimi i shumicës me të drejta për pakicën, pra jo sundim absolut i shumicës. Është e rëndësishme që shqiptarët e Kosovës ta bëjnë të qartë se pakicat, si serbët, por edhe romët e të tjerë, do të mbrohen. Pavarësia e Kosovës mund të funksionojë me sukses vetëm në se kanë marrëdhënie të mira funksionale me fqinjët, përfshirë Serbinë. Në këtë vështrim do t’i bëja thirje edhe Serbisë se interesat e tyre janë të lidhura me bashkëpunimin ekonomik në rajon dhe jo të mbërthehen në nacionalizmin e ngushtë. //kk//

XS
SM
MD
LG