Lidhje

Shtatë vjet pas masakrës së Reçakut, Kosova ka hyrë në procesin e zgjidhjes së statusit


Qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës morën pjesë të dielën në homazhet me rastin e 7 vjetorit të vrasjes së 45 banorëve të fshatit Reçak të komunës së Shtimjes, rreth 30 kilometra në jug të Prishtinës. Kjo ngjarje shënoi në atë kohë një pikë kthese në qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj luftës në Kosovë. Dështimi i konferencës paqësore që u mbajt një muaj më vonë në Rambouillet të Francës, u pasua me bombardimet e NATO-s që i dhanë fund luftës në Kosovë. Shtatë vjet më pas, Kosova ndodhet në një proces të ri të vendosjes së statusit të saj përfundimtar.

Qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, që në orët e hershme të mëngjesit po prisnin në radhë në hyrje të varrezave të fshatit Reçak të komunës së Shtimjes rreth 30 kilometra në jug të Prishtinës për të bërë

homazhe në shtatë vjetorin e vrasjes së 45 banorëve të këtij fshati nga forcat serbe. Kjo ngjarje e cila qe cilësuar si një masakrat më të rënda shënoi një pikë kthese në luftën e Kosovës. Ambasadori William Walker, i cili drejtonte Misionin Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që vëzhgonte armëpushimin e brishtë të vendosur në nëntor të vitit 1998 në një marrëveshje ndërmjet të dërguarit amerikan Richard Holebrooke dhe ish-presidentit jugosllav të akuzuar për krime lufte Sllobodan Milosheviç, i cilësoi vrasjet në Reçak si masakër dhe krim kundër njerëzimit.

Ngjarja shënoi fillimin e një fushate të re diplomatike në përpjekje për t’i dhënë fund luftës së armatosur dhe një muaj më vonë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Në mars të atij viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë nuk u nënshkrua nga Beogradi dhe NATO-ja filloi fushatën 78 ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Shtatë vjet më pas Kosova ndodhet në një fazë të re të procesit politik kur kanë filluar negociatat për zgjidhjen e statusit të saj politik. Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha sot në Recak se ngjarjet e para shtatë vjetësh në këtë fshat janë vënë në themelet e së ardhmes së Kosovës.

Shtatë vjet pas ngjarjeve në Reçak, Prishtina zyrtare përballet me detyrimet e parashikuara në standardet që duhet të plotësojë Kosova, nëpërmjet të cilave synohet mbrojtja e pakicave kombëtare, përmirësimi i jetës për të gjithë qytetarët dhe angazhimi për ri pajtim e tolerancë ndëretnike, të cilat pothuajse ishin shuar nga pasojat e luftës.

Procesi i bisedimeve për statusin përfundimtar i gjen të dyja palët në pozita tërësisht të kundërta, ndërsa në mes është është ish-kryeministri finlandez, Marti Ahtisari, i cili shtatë vjet më parë luajti një rol të rëndësishëm në marrëveshjen që çoi në përfundimin e fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë dhe tërheqjen e forcave serbe nga Kosova. //kk//

XS
SM
MD
LG