Lidhje

Korrespondetja e Zërit të Amerikës Judith Latham kujton takimin e saj të parë me Dr. Rugovën


Janë të shumtë njerëzit që takoheshin me Dr. Rugovën dhe largoheshin nga këto takime me mbresa të forta për këtë burrë shteti që me vizionin dhe durimin e tij gëzoi respektin dhe mbështetjen jo vetëm të autoriteteve të ndryshme të botës por edhe të çdo njeriu të thjeshtë që takohej me të. Korrespondetja jonë Judith Latham, erdhi në shërbimin tonë dhe ndau me ne një mbresë të thellë që nuk e kishte harruar për 8 vjet e gjysëm. Ja si e kujton zonja Latham takimin e saj të parë me Dr. Ibrahim Rugovën në vitin 1997.

Ishte gushti i vitit 1997. Ishin kohë shumë të vështira. Unë merrja pjesë në një projekt për zgjidhjen e konflikteve. Ibrahim Rugova mbante një konferencë shtypi ku shkova edhe unë. Pas konferencës pata rastin të takohesha privatisht me të për programin që ne po përgatisnim në Zërin e Amerikës për zgjidhjen e konflikteve.

Gjatë asaj bisede ai foli për nevojën e pavarësisë dhe për ëndërrën e tij për një Kosovë të hapur për të gjitha komunitetet, për shqiptarët e Kosovës, për serbët, për turqit, për romët dhe gjithë të tjerët. Sot është një ditë hidhërimi por edhe një ditë kujtimesh. Një ditë për të shënuar vizionin e Dr. Ibrahim Rugovës.

Ajo që më ka mbetur në mënyrë të pashlyeshme në kujtesë është se unë i dhashë atij një stilolaps me emblemën e Zërit të Amerikës. Ai e shikoi atë duke u menduar dhe tha: “Ditën që do të arrij të nënshkruaj deklaratën e pavarësisë për Kosovën, do të përdor këtë stilolaps”.

Tashti ai është ndarë prej nesh, por ëndërrat e tij për paqe, ëndërrat e tij për pavarësinë e Kosovës janë po aq reale sot sa edhe 8 vjet e gjysmë më parë kur ai i tha ato fjalë. Shpresoj që Kosova do të udhëhiqet këtej e tutje nga një njeri që do të jetë pasues i denjë i Ibrahim Rugovës, për të ralizuar ëndërrën e tij për një Kosovë të hapur për të gjitha komunitetet.

XS
SM
MD
LG