Lidhje

IREX: Media në Evropën lindore ka përparuar


Megjithë përparimet e shënuara në fushën e medias nga vendet e Evropës Juglindore, një organizatë që nxjerr indeksin e përvitshëm për 20 vende të Evropës Juglindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik, thotë se ende nuk mund të flitet për një zhvillim të qëndrueshëm të saj. Sipas IREX-it, një organizatë që merret programe arsimi, pavarësinë e shtypit dhe shoqërinë civile në pjesë të ndryshme të botës, rajoni i Evropës Juglindore, kryeson indeksin e vendeve me demokraci në fazat fillestare, apo vazhdimisht të rrezikuar.

Megjithë përparimin e rajonit në përgjithësi, Shqipëria, brenda grupit me nëntë vende, është e fundit. Media konsiderohet në një gjendje pothuajse të qëndrueshme, që i ka plotësuar disa objektiva, por duhet ende kohë që ndryshimet pozitive, rritja e profesionalizmit dhe mjedisi i biznesit të medias të jenë të konsoliduara.

Megjithë përparimin e arritur në vitin 2005, ende duhet punuar për një sektor shtypi të lirë, të pavarur dhe që mund të mbajë veten financiarisht dhe profesionalisht. Paralelisht sugjerohen përpjekje për ruajtjen e lirisë së shtypit, me institucione që mbrojnë gazetarët dhe mjetet e informimit nga presioni në rritje i politikë dhe biznesit, që sipas organizatës IREX është aq i madh saqë pengon veprimtarinë normale të institucioneve rregullatore, si Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit. Ajo që bie në sy për Shqipërinë është fakti, që në këtë fazë nuk është edhe aq problem i madh shkelja e lirisë së shprehjes dhe shtypit, sesa teprimi me të. Një nga pasojat është se tolerimi në emër të lirisë së shprehjes, ka bërë të cënohet ligji.

Ndërsa hyrja në tregun e medias është krejt e lirë, është edhe krejtësisht e pabazuar në rregulla. Kjo gjë nuk pengon veprimtarinë e medias, por rritja nuk është e lidhur drejtpërdrejt me standardet profesionale dhe ligjore. Ky shqetësim vihet ne pah edhe nga fakti që ndërsa rastet e keqtrajtimit ndaj gazetarëve janë pakësuar, rastet kur media dhunon reputacionin dhe jetën private të individëve janë shtuar.

Probleme të tjera janë mungesa e profesionalizmit mes gazetarëve, si edhe mungesa e kontratave dhe e sindikatave të forta për mbrojtjen e gazetarëve. Kjo i hap rrugë autocensurës dhe i lë të ekspozuar gazetarët ndaj interesave të ndryshme të pronarëve të medias. Një nga aspektet më pozitive ndërkohë, është pluralizmi i burimeve të medias dhe informacionit.

Kosova, në listën e IREX-it është e shtata mes nëntë vendeve dhe në raport thuhet se përparimi ka qenë i konsiderueshëm në drejtim të kuadrit ligjor për rregullimin e medias, sidomos me miratimin e ligjit për Komisionin e Pavarur të Medias, që do të vendosë rregull mes radiove dhe televizioneve të shumta. OSBE-ja ka sugjeruar pakësimin e numrit të stacioneve, por pa thënë se si të realizohet, gjë që pritet të shkaktojë probleme në vitin në vazhdim. IREX-i thotë se një kod i etikës së shtypit pritet të vendosë rregull në shtypin e shkruar.

Ndryshimi më i madh nga viti 2004, në 2005-ën ishte në drejtim të shoqatave që mbështesin shtypin, ndërsa përmirësimi në lirinë e shprehjes dhe profesionalizëm nuk ishin edhe aq të dukshme. Në raport thuhet se ka shpresa të shumta që zgjidhja e statusit, do të sillte rritje në biznes dhe investime. Nëse kjo realizohet dhe nëse rregullohet çështja e liçencave të transmetimit, në vitet a ardhshme përmirësimi do të jetë i konsiderueshëm.

Në Maqedoni ndërkohë hyri në fuqi një ligj liberal për median elektronike, por vihet në dukje se megjithëse liria e shprehjes në përgjithësi respektohet, ende duhet punuar për kuadrin ligjor dhe zbatimin e tij.

Hartimi i indeksit dhe studimi për gjendjen e shtypit u financua nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG