Lidhje

Rusia bën përpjekje për zgjerimin e pushtetit të saj


Për shumë vëzhgues, mosmarrëveshjet e kohëve të fundit midis Rusisë dhe Ukrainës mbi çmimet e naftës vënë në pah dëshirën e Kremlinit për të rritur kontrollin mbi republikat ish-sovjetike. Por, analistë të tjerë thonë se Rusia ka ambicie më të gjera dhe po shfrytëzon burimet enegjitike për të rifituar statusin e superfuqisë.

Një tubacion nënujor nafte po ndërtohet në Detin Baltik, nga Rusia në Gjermani. I planifikuar të përfundojë brenda vitit 2012, naftësjellësi i Evropës Veriore, ka një gjatësi prej 1 mijë e 200 kilometrash, është një projekt prej 5 miliardë dollarësh, dhe do të pompojë miliarda metra kub gaz natyror nga Siberia Perëndimore në Gjermani dhe vende të tjera evropiane. Ky projekt simbolizon varësinë energjitike në rritje të Evropës nga Rusia.

Bashkimi Evropian blen 25 për qind të gazit natyror dhe 30 për qind të naftës nga Rusia. Disa anëtarë të Bashkimit Evropian si Sllovakia dhe Finlanda varen plotësisht nga nafta ruse. Bashkimi Evropian parashikon që brenda vitit 2020, tri të katrëtat e gazit natyror do të importohen.

Pjesa më e madhe do të sigurohet nga Rusia, e cila ka rezervat më të mëdha në botë të gazit natyror dhe një rrjet naftësjellësish që bën të mundur furnizimin e Lindjes së Largët dhe perëndimit. Rusia mban gjithashtu vendin e dytë në botë për prodhiumin e naftës.

Kremlini kërkon të ndërtojë të ardhmen politike dhe ekonomike të vendit duke u mbështetur në burimet energjitike. Nëpërmjet monopoleve shtetërore Gazprom, Transneft dhe Rosneft, Rusia kontrollon tashmë pothuajse të gjithë eksportin e energjisë në Azinë Qëndrore.

Zeino Baran, analist nga Qendra Nikson në Uashington, thotë se mosmarrëveshjet e kohëve të fundit midis Ukrainës dhe Rusisë tregojnë se Moska është e gatshme të përdorë taktika të ashpra për t’iu kundërvënë zgjerimit të ndikimit të Perëndimit në hapësirën e ish-Bashkimit Sovietik.

“Praktikisht, tha zoti Baran, Kremlini tha se do të krijojë një perandori liberale duke shfrytëzuar aftësinë për të kontrolluar rrjetin energjitik.”

Moska e ka studiuar me kujdes terrenin energjitik. Sipas Ilan Bermanit, analist në Uashington, Rusia ka në plan të ndërtojë një tubacion nafte për të furnizuar me gaz natyror Kinën dhe vende të tjera të Azisë Lindore, madje edhe tregun amerikan.

“Rusia, thotë zoti Baran, kërkon të jetë furnizuesi i vetëm i Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut. Moska po zhvillon bisedime serioze mbi energjinë me Indinë dhe me Shtetet e Bashkuara.”

Shumica e analistëve thonë se ky qëllim ambicioz e vendos Rusinë në një garë të mprehtë me Arabinë Saudite dhe anëtarët e tjerë të Opekut duke ndryshuar raportet botërore gjeo-politike të energjisë. Hju Bonds, drejtor i programit rus në Qendrën e Politikës së Jashtme në Londër, thotë:

“Rusia nuk do të ketë më mundësinë të rifitojë pushtetin ushtarak, por varësia energjitike nga Rusia do të pajisë Moskën me një pushtet më të madh ekonomik.”

Hju Bonds shton se fuqitë ekonomike nuk mbështetën kurrë vetëm në burimet energjitike. Ekonomia ruse zotërohet nga një pakicë që ka shtënë në dorë kompani shtetërore të cilat shpesh e zhvillojnë biznesin duke u m,bështetur në korrupsion, dhunë dhe ryshfet.

Shumë analistë thonë se Rusia ka mangësi të tjera në planin për të zotëruar tregun botëror të energjisë. Kompanitë ruse nuk kanë bërë investimet e duhura në infrastrukturën energjitike. Zeino Baran nga Qendra Nikson thotë:

“Ata duhet të zhvillojë fushat e tyre të naftës, të cilat nuk janë në nivelin e duhur. Kanë munguar investimet edhe në teknoligji, kështu që ambiciet ruse tejkalojnë mundësitë”

Pritet që në takimin e 8 vendeve më të industrializuara të botës, që do të zhvillohet në muajin qershor, Rusia të shtrojë problemin e sigurisë energjitike botërore, por sipas mendimit të shimicës së vëzhguesve, anëtarët e 8-shes mund t’u kushtojnë më tepër vëmendje planeve të Rusisë për të përdorur burimet energjitike për realizimin e ambicieve të saj politike në plan ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG