Lidhje

Çfarë pritet nga bisedimet e Vjenës?


Megjithëse në bisedimet e Vjenës nuk do të diskutohet çështja e statusit përfundimtar të Kosovës, qytetarët e thjeshtë presin që prej tyre të ketë një sinjal për pavarësinë, ndërsa analistët presin ballafaqime të vështira mes palëve me qëndrime diametralisht të kundërta.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara janë një përpjekje për të zgjidhur një nga mosmarrëveshjet e fundit më problematike të lëna pas luftës së përgjakshme në Ballkan në vitet 1990 ndërsa mbarë rajoni shpreson që një ditë të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Shqiptarët që përbëjnë 90 përqind të popullësisë prej 2 milion banorësh të Kosovës kërkojnë pavarësi nga Serbia. “Nga bisedimet e Vjenës pres njohjen e pavarësisë së Kosovës. Mendoj se kemi vuajtur për një kohë të gjatë. Pas kaq vuajtjesh është koha që të zgjidhet statusi i Kosovës me pavarësinë e plotë. Asgjë tjetër nuk është e pranueshme për ne”, thotë Ise Borovci, pronar i një stende tregëtare në Prishtinë.

Serbia megjithatë këmbëngul që të ruajë kontrollin e saj në disa pjesë të Kosovës që ajo e konsideron si pjesë të vetën. Në fshatin e Graçanicës, Vlasimir Todiç thotë se nuk pret shumë nga bisedimet, por cilido të jetë rezultati ai ka në plan të qëndrojë: “Nuk pres shumë nga këto bisedime. Amerikanët, qeveria amerikane ka qënë dhe është shumë e qartë për atë që kërkojnë shqiptarët. Rezultati do të jetë ai që thonë Shtetet e Bashkuara – Pavarësinë për shqiptarët! Ajo që kërkoj unë është të jetojë këtu dhe të kem një jetë më të mirë dhe kushte të sigurta jetese”, thotë zoti Todiç.

Analistët thonë se bisedimet do të jenë të vështira, megjithëse pritet shumë prej tyre. “Ky është ballafaqimi i parë midis shqiptarëve të Kosovës dhe qeverisë serbe në të cilin të dyja delegacionet do të masin realitetet politike ekzistuese, si dhe ndikimin e tyre dhe të forcave të tyre politike”, thotë Dukagjin Gorani.

Të dyja palët nuk kanë rënë dakort lidhur me kompetencat që duhet t’u lihen vendorëve. Pakica serbe këmbëngul që të ketë kompetenca të gjera dhe lidhje të veçanta me Beogradin. Diplomatët e grupit të kontaktit kanë rënë dakort për një seri parimesh mbi të ardhmen e Kosovës. Këtu përfshihet mos kthimi i vendit nën regjimin serb, mos ndarja sipas vijave etnike dhe mosbashkimi me asnjë vend tjetër në rajon. //RD//

XS
SM
MD
LG