Lidhje

Në Shqipëri vazhdojnë debatet lidhur me funksionimin e Këshillit Kombëtar të Radiotelevizoneve


Në Shqipëri shumica dhe opozita e majtë janë përfshirë në debate lidhur me funksionimin e Këshillit Kombëtar të Radiotelevizoneve, organit që rregullon tregun e mediave elektronike. E majta dhe e djathta do të përpiqen sot të gjejnë një linjë të përbashkët pas kërkesës së djeshme të shumicës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të KKRT-së. Po sot, pas rastit të dhunës së ushtruar ndaj një gazetari, drejtori i përgjithshëm i Policisë u ka shpërndarë një letërporosi të gjithë efektivave për të mos lejuar keqtrajtimin nga forcat e rendit.

Pas ligjit të ri të nxjerrë nga qeveria për mediat televizive, i cili parashikon ndër të tjera dhe shkrirjen e Këshillit Kombëtar aktual të Radiotelevizioneve, janë rreshtuar edhe deputetët e djathtë të cilët mbrëmë në parlament kishin përfshirë në rezolutën e tyre për raportin e KKRT-së edhe kërkesën për shkarkimin e anëtarëve të këtij institucioni. Një kërkesë e cila shkaktoi debate të shumta madje dhe akuza se kjo pikë ishte shtuar në mënyrë të fshehtë. KKRT është akuzuar hapur nga kryeministri Sali Berisha se ka lejuar deformimin e tregut te mediave elektronike duke favorizuar piraterinë dhe shkeljen e rregullave. Të njejtat argumenta që janë përdorur edhe nga deputetët.

Në të vërtetë tregu I televizioneve në Shqipëri paraqitet me shumë probleme, të pranuara edhe në raportin e KKRT. Shumë televizione nuk kanë respektuar licensat e tyre, të tjera janë shtrirë duke shkellur rregullat dhe në mënyrë të paligjshme, pasqyrat financiare janë me dyshime të shumta, ku sipas KKRT pjesa më e madhe e të ardhurave nuk deklarohet.

Pas përlasjeve të djeshme, shumica dhe opozita pritet të diskutojnë rreth një formulimi të përbashkjët që do të mund të paraqitet në seancën e nesërme dhe ku pika kyçe mbetet nëse do të lihet në fuqi kërkesa për shkarkimin e anëtarëve të KKRT.

Ndërsa për ligjin e përgatitur nga qeveria, duket se është gjetur një emërues i përbashkët. Përfaqësuesit e partisë demokratike në komisionin e Medias thanë sot se janë të gatshmë të pranojnë të gjitha sygjerimet e grupeve të intersit si dhe të opozitës. Kështu në komision do të thirren përfaqësues të shoqatave dhe pronarë të mediave elektronike, një pjesë e mirë e të cilëve i druhen ndryshimeve të propozuara nga qeveria pasi i shohin ato si një kërcënim për vendosjen nën kontroll të mediave dhe cënim të lirisë së tyre.

Po sot drejtori I përgjithshëm i Policisë, Bajram Ibraj, pas incidentit ku një gazetar u rrah nga forcat e policisë së Lushnjes, ka shpërndarë një letërporosi ku udhëzon të gjithë efektivat që të shmangin përdorimin e forcës aty ku nuk ështe nevojshme si dhe të respektojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Drejtori Ibraj ka njoftuar se ka pezulluar komandantin e Lushnjes si dhe të gjithë grupin e gatshëm të përfshirë në rrahjen e gazetarit.

XS
SM
MD
LG