Lidhje

Iraq: 21 të vrarë dhe 25 të plagosur brenda një dite në Bagdad


Policia irakiane thotë se nga shpërthimi i një makine bombë u vranë të paktën 21 vetë në një treg të Bagdadit. Ajo njofton gjithashtu se 25 vetë të tjerë u plagosën nga ky shpërthim në lagjen Dora, të banuar kryesisht nga myslimanë shiitë, në jug të Bagdadit.

Në një tjetër zhvillim në Irak, po sot, një sulm me bombë anës rrugës në Bagdadin Perëndimor la të vrarë një polic irakian dhe plagosi të paktën dy civilë. Në një tjetër sulm me bombë në Bagdadin Lindor, një ministre e kabinetit irakian shpëtoi pa u dëmtuar, por tre roje në makinën me të cilën ajo po udhëtonte u plagosën.

Sulmet ndodhën gjatë vizitës së Sekretarit të Jashtëm britanik, Jack Straw, në Bagdad, i cili i kërkoi Irakut të formojë një qeveri uniteti që të mos dominohet nga një grup i vetëm fetar. Zoti Straw e bëri këtë koment sot, pas një takimi me Presidentin irakian Jalal Talabani në Bagdad. Ai po zhvillon bisedime mbi përparimin e ngadaltë që është bërë në formimin e një qeverie të re irakiane pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit.

Kryeministri i Irakut Ibrahim al-Jaafari i hodhi poshtë komentet e zotit Straw, duke thënë se zgjedhja e qeverisë irakiane është çështje e brendshme e këtij vendi.

Ndërkohë, zyrtarët jordanezë bënë të njohur lirimin e një shoferi të ambasadës jordaneze që mbahej peng në Irak që nga muaji dhjetor.

XS
SM
MD
LG