Lidhje

Bob Hand: Në reformat zgjedhore duhet të angazhohen të gjitha partitë politike të Shqipërisë në mënyrë që ato të arrihen nëpërmjet konsensusit


Këtë vit në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhjet lokale, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se muaji shtator. Duke u nisur nga zhvillimet e pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, analistët thonë se Shqipëria duhet të zbatojë disa reforma para zgjedhjeve lokale të këtij viti, por në të njëjtën kohë zbatimi i reformave duhet të shndërohen në një proces të vazhdueshëm e afat-gjatë. Me këtë mendim pajtohet edhe Bob Hand, këshilltari i Komisionit të Helsinkit i Kongresit amerikan. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Hand tha se në procesin e reformave duhet të angazhohen, jo vetëm dy partitë më të mëdha politike, por edhe partitë e vogla, në mënyrë që reformat të arrihen nëpërmjet konsensusit.

Zëri i Amerikës: Ju keni qënë disa herë në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet, përfshirë edhe zgjedhjet e korrikut të kaluar. Si e shikoni ju atmosferën politike në Shqipëri.

Bob Hand: Më shqetësuan disa prej vonesave menjëherë pas zgjedhjeve, por që prej atëhere gjërat kanë ecur relativisht mirë. Dhe për këtë jam shumë i kënaqur. Kam krijuar përshtypjen se në Shqipërinë e sotme, krahasuar me Shqipërinë e viteve të mëparshme, do të ketë një përqëndrim më të paktë tek karakteret e njerzve dhe se kush është në pushtet dhe më shumë vëmëndje tek institucionet dhe funksioni i tyre. Shpresoj që kjo prirje të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Këtë vit Shqipëria duhet të mbajë zgjedhjet lokale, jo më vonë se shtatori. Sa e përgatitur është Shqipëria për këto zgjedhje? A ka zbatuar ajo reformat e duhura elektorale?

Bob Hand: Mendoj se në zgjedhjet parlamentare të 2005-s, Shqipëria bëri përmirësime të ndjeshme në përmbushjen e standarteve, duke mundësuar vazhdimin e procesit drejt integrimit në institucionet evropiane, diçka që e shikoj me kënaqësi. Në të njëjtën kohë, është më se e qartë se ka probleme për zgjidhjen e të cilave janë të nevojshme reforma elektorale. Misioni i OSBE dhe ODHIR-i janë përpjekur të ndihmojnë në angazhimin e Shqipërisë në këto reforma. Shumë gjëra duhet të zgjidhen brënda një kohe relativisht të shkurtër para zgjedhjeve lokale, veçanërisht në regjistrimin civil, në listat e votuesve, aspekte që janë shumë të rëndësishme për zgjedhjet lokale. Por, reformat duhen zbatuar për një kohë edhe më të gjatë dhe Shqipëria duhet të përgatitet për të pasur një atmosferë të vazhdimit të reformave elektorale jo vetëm për zgjedhjet lokale të këtij viti, por edhe për zgjedhjet në të ardhmen. Në këtë proces duhet të angazhohen, jo vetëm dy partitë më të mëdha, demokratët dhe socialistët, por edhe partitë e vogla, në mënyrë që reformat të arrihen nëpërmjet konsensusit.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand korrupsioni ka qënë një shqetësim i madh në Shqipëri për të cilin ka reaguar shumë edhe komuniteti ndërkombëtar. Sa përparim ka bërë Shqipëria në këtë drejtim?

Bob Hand: Mendoj se kryeministri Berisha ka përpara një sfidë të madhe për sa i përket korrupsionit në qeveri. Dhe nuk ka asnjë dyshim që korrupsioni në vitet e fundit mori përmasa të mëdha. Pranadaj zoti Berisha duhet të jetë agresiv në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë, ai duhet të provojë se respekton shtetin ligjor dhe se përpjekjet e tij për të luftuar zyrtarët e korruptuar nuk mund të jenë sulme politike kundër njerëzve që u vunë në pozita të caktuara nga socialistët kur ata ishin në pushtet. Gjithashtu ai nuk mund t’i zëvëndësojë këta njerëz me njerëz besnikë të tij, që do të angazhoheshin në të njëjtat aktivitete. Pra ai duhet të tregohet shumë i kujdesshëm se si vepron në këtë aspekt. Kryeministri Berisha ka bërë përpjekje në disa fusha për të luftuar korrusionin dhe në përgjithësi jam i kënaqur me këto përpjekje, megjithëse e them këtë me rezervë, sepse lufta kundër praktikave korruptive është një proces i gjatë e i vazhdueshëm.

Zëri i Amerikës: Dhe në kontekstin e luftës kundër korrupsionit, një çështje e madhe kohët e fundit ka qënë mosmarrëveshja që kryeministri Berisha ka me Këshillin Kombëtar të Radio-Televizionit, KKRT. Ai kërkon t’i zëvëndësojë ata, ndërkohë që janë shprehur shqetësime se me këtë përpjekje kryeministri ndërhyn në pavarësinë e medias.

Bob Hand: Si shumë gjëra në Shqipëri, nuk është e qartë se sa legjitim është vendimi i kryeministrit dhe i qeverisë nga njëra anë dhe shqetësimet e opozitës apo kritikëve nga ana tjetër. Është e qartë se mjetet e shtypit, ashtu si shumë aspekte të shoqërisë në Shqipëri, mund të ketë nevojë për reforma, dhe kjo mund të kërkojë zëvëndësimin e disa njerëzve. Si kryeministër, zoti Berisha e ka për detyrë t’i shikojë gjërat dhe të bëjë ndryshime, nëse është nevoja, por në të njëjtën kohë dihet se kur ishte më parë në pushtet, zoti Berisha e manipuloi shtypin. Prandaj shpresoj që ai të jetë plotësisht i vetëdijshëm për këtë dhe të veprojë me kujdes. Në se arrihet në përfundimin se ai po manipulon median dhe përpiqet ta kontrollojë atë, do të ketë kritika nga opozita në Shqipëri, por edhe nga shoqëritë civile dhe komuniteti ndërkombëtar. I gjithë ky debat, për mendimin tim, është i rëndësishëm, sepse lidhet me korrupsionin. Një mënyrë shumë e mirë për të luftuar korrupsionin është gazetaria hetuese, diçka ende shumë e rrezikshme për gazetarët në Shqipëri. Dua të theksoj se kjo gazetari është shumë e rëndësishme edhe për demokraci të konsoliduara si në Shtetet e Bashkuara, e jo më për vende në tranzicion si Shqipëria.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, javën e kaluar në Washington ishte ministri i jashtëm i Shqipërisë. Ai u takua me zyrtarë të lartë amerikanë. Si i shikoni ju marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Bob Hand: Do të thosha se në përgjithësi këtu në Washington dhe në gjithë Shtetet e Bashkuara ekziston një vullnet i mirë ndaj Shqipërisë. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të forta. Pas ndryshimit të qeverive në Shqipëri, marrëdhëniet me Amerikën janë shumë të mira ashti siç kanë qënë dhe duhet thënë se marrëdhëniet janë mes dy vendeve dhe jo midis partive apo elementëve politikë. Qeveria amerikane vazhdon të jetë e angazhuar ndaj integrimit euro-atlantik të Shqipërisë, veçanërisht anëtarësimit në NATO, dhe integrimit evropian. Që këto aspirata të Shqipërisë të bëhen realitet, vendi duhet të zbatojë reforma, të përmbushë standarte prandaj edhe dua t’u bëj thirrje autoriteteve shqiptare si dhe popullit të Shqipërisë që, nëse duan të anëtarësohen në NATO dhe në Bashkimin Evropian, t’i shikojnë me seriozitet këto reforma dhe sa më parë që ato të zbatohen aq më shpejt Shqipëria do të integrohet në këto institucione.

XS
SM
MD
LG