Lidhje

Departamenti amerikan i shtetit përfshin Shqipërinë në raportin për tregëtinë e drogës


Zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit thonë në një raport mbi tregtinë kriminale të drogës në shkallë botërore se prodhimi i opiumit në Afganistan ra 10 për qind vitin e kaluar, por theksohet se ky vend aziatik prodhon 90 për qind të opiumit në botë.

Mes vendeve të tjera që përmenden në raport, është edhe Shqipëria. Në të thuhet se Shqipëria përdoret nga grupe të krimit të organizuar si pikë tranziti për heroinë nga Azia Qendrore për në Evropën perëndimore. Kapja e heroinës nga autoritetet shqiptare, greke dhe italiane ra ndjeshëm vitin e kaluar, duke lënë të nënkuptohet një ndryshim i mundshëm në prirjen e trafikut të drogës.

Bima Kanabis sativa prodhohet edhe në Shqipëri për tregjet evropiane. Kryesisht në përgjigje të trysninë ndërkombëtare dhe me ndihmën ndërkombëtare, qeveria e Shqipërisë po përballet me elementë kriminalë në mënyrë më agresive, por përpjekjet e saj pengohen nga mungesa e burimeve dhe shkalla e lartë e korrupsionit.

Qeveria e re e Kryeministrit Sali Berisha ka deklaruar se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut me qenie njerëzore dhe atij të drogës është përparësia e saj kryesore.

Shqipëria është anëtare e Konventës së Kombeve të Bashkuara për Drogat. Në raport theksohet se megjithëse Shqipëria nuk është një vend kryesor tranziti për drogat që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, ajo mbetet një vend shqetësues për Shtetet e Bashkuara për shkak se portet në Adriatik dhe kufijtë e saj të pambrojtur tokësorë, së bashku me sistemet e kontrollit kufitar dhe doganor të financuara dhe të pajisura shumë dobët, e bëjnë Shqipërinë një ndalesë tërheqëse në rrugën e kontrabandës për trafikantët.

Në raport theksohet se si vend tranziti për trafikun e drogës, të armëve dhe qenieve njerëzore, Shqipëria mbetet një rrezik i madh edhe për pastrimin e parave. Grupet e krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë si bazë e operacioneve për veprimtari kriminale në vende të tjera, duke dërguar atje fonde të paligjshme. Të ardhurat nga këto veprimtari pastrohen lehtë në Shqipëri për shkak të mungesë së një ekonomie të fortë dhe të kontrollit të dobët qeveritar.

XS
SM
MD
LG