Lidhje

E drejta për t’u shprehur nuk është e drejtë absolute as në shoqëritë perëndimore


Liria e fjalës është bërë një temë e nxehtë në lajme kohët e fundit. Është një nga shtyllat e shoqërisë perëndimore, por siç e panë kohët e fundit redaktorët e gazetave në Evropë, liria e fjalës është një koncept për të cilin disa njerëz mendojnë se duhet të jetë i kufizuar. Trazirat në vendet me shumicë myslimane pas botimit të karikaturave të Profetit Muhamet, i kanë bërë disa njerëz të mendojnë se bëhet fjalë për një debat mes Perëndimit dhe Lindjes. Por edhe në shoqëritë perëndimore, e drejta për t’u shprehur nuk është absolute.

Muajin e ardhshëm televizioni publik PBS do të transmetojë një dokumentar të titulluar genocidi armen mbi rrethanat e vdekjes së rreth 1.2 milionë armenëve që jetuan në Perandorinë Otomane gjatë Luftës së Parë Botërore. Studiuesit perëndimorë janë të të njëjtit mendim, se këto vdekje përbëjnë genocidin e parë të shekullit të 20-të. Por qeveria turke e kundërshton këtë përfundim, duke thënë se vdekjet nuk ishin rezultat i vrasjeve të organizuara nga shteti, kështuqë nuk mund të quhen genocid.

Pas dokumentarit, PBS ka në plan të transmetojë një diskutim ku marrin pjesë dy studiues që mbështesin pikëpamjen e qeverisë turke, e cila është të hedhur poshtë gjerësisht.

Elizabeth Chouldjian, anëtare e Këshillit Kombëtar Armen të Amerikës thotë se një program i tillë nuk duhet të transmetohet në televizion publik.

“Ashtu siç nuk u jepet mundësia atyre që mohojnë Holokaustin të dalin në PBS dhe të mbrojnë pikëpamjet e tyre të gabuara, po ashtu nuk duhet mjegulluar e vërteta dhe nuk duhen ç’orientuar shikuesit, duke u dhënë mundësi atyre që mohojnë genocidin që të shprehin qëndrimin e tyre”.

Deklarata e zonjës Chouldjian dhe analogjia me Holokaustin kanë tërhequr vëmendjen, sidomos pas dënimit me tre vjet burg të historianit britanik David Irving, pasi shkeli një ligj austriak që ndalon mohimin e Holokaustit.

Robert Kahn, profesor në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Bruklinit, thotë se liria e fjalës në Perëndim nuk është një e drejtë absolute. Ajo frenohet nga një sistem kompleks autocensure, që pothuajse gjithmonë diktohet nga historia e një shoqërie.

Ai thotë se vendet që kanë ligje që ndalojnë mohimin e Holocaustit, Franca, Gjermania, dhe Austria, ose kanë marrë pjesë vetë, ose kanë bashkëpunuar me Holokaustin.

Në Shtetet e Bashkuara nuk është e paligjshme të dënohet Holokausti, por është thellësisht jodiplomatike, sidomos po të kesh parasysh numrin e madh të të mbijetuarve që erdhën këtu pas luftës. Megjithatë, thotë Prof. Kahn, kjo nuk do të thotë që në Amerikë nuk ka asnjë kufizim ligjor dhe se ka një numër ligjesh shtetërore dhe federale që kufizojnë lirinë e shprehjes.

“Ka disa lloje shprehjesh të lirisë, si për shembull djegia e kryqit që, kur bëhen për të frikësuar njerëzit, janë të paligjshme. Në shumë shtete amerikane, veçanërisht në jug, nuk mund të dalësh në demonstratë i maskuar. Këto rregulla janë përgjithësisht të lidhura me rolin e Ku Klux Klanit në historinë amerikane dhe kanë prirjen të tregojnë se shoqëritë janë shumë të shqetësuara për lirinë e shprehjes që ka të bëjë me akte të mëparshme racizmi, apo sido që ta quash, që ata kanë kryer”.

Por nuk janë vetëm momentet e hidhura të historisë që i bëjnë disa shoqëri perëndimore të vendosin kufizime. Profesor Kahn përmend faktin që gazetat kryesore amerikane nuk i botuan karikaturat e Profetit Muhamet:

“Shtetet e Bashkuara janë një vend besimtar dhe e kuptojnë idenë e respektimit, apo mungesës së respektit ndaj besimit fetar të dikujt tjetër. Ndërsa mund të thuhet se Evropa ëshë shumë më tepër laike dhe kështu ideja që mund të botosh diçka që e poshtëron Profetin, nuk është ndonjë problem i madh”.

Ndërkohë, PBS nuk ka deklaruar ndonjë plan për të anulluar transmetimin e debatit televiziv të parashikuar për më 17 prill.

XS
SM
MD
LG