Deri në fund të javës pritet të përmbyllet procesi i formimit të kabinetit qeveritar dhe i ndryshimeve në udhëheqjen e parlamentit të Kosovës, pas dorëheqjes së kryeministrit Bajram Kosumi dhe vendimit të kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës për të shkarkuar Nexhat Dacin nga posti i kryetarit të Parlamentit, një vendim që nuk është pranuar nga zoti Daci.
Nesër kryesia e këtij parlamenti pritet të caktojë një mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën do të duhej të votohej për ndryshimet e reja. Gjeneral Agim Çeku, i propozuar për postin e kryeministrit po vazhdon këshillimet me partitë e koalicionit qeveritar, Lidhjen Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për formimin e qeverisë, përbërja e së cilës megjithatë nuk varet shumë nga kandidati për kryeministër. Tashmë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpallur publikisht listën e ministrave të saj dhe nuk ka asnjë ndryshim nga përbërja e mëhershme. E pa qartë është se çfarë do të bëjë Lidhja Demokratike e Kosovës e cila ende nuk ka hedhur propozimet e saj.
Zhvillimet e fundit në skenën politikë sot janë diskutuar edhe në një takim të shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara Soren Jessen-Petersen me drejtuesit e Listës serbe për Kosovën e Metohinë. Shefi I kësaj Liste, Oliver Ivanoviç tha se ata janë të gatshëm të bisedojnë me gjeneral Çekun për përfshirjen e mundshme në qeveri ku komunitetit serb i ka të rezervuara dy poste ministrash. Po ashtu Oliver Ivanoviç tha se po shqyrtohet edhe mundësia e kthimit në të gjitha institucionet e vendit të cilat janë bojkotuar deri tash. “Këtë moment e vlerësoj shumë të ndjeshëm por e di se pjesëmarrja e serbëve në Parlament është shumë, shumë e rëndësishme për mbijetesën e tyre sepse ata duhet të kenë një shpresë" tha ai, duke nënvizuar se çfarëdo zgjidhje që të ketë në procesin e negociatave për statusin dikush duhet ta zbatojë dhe këto janë institucionet e përkohshme dhe nëse serbët nuk janë aty do të jetë shumë keq.
Megjithatë, një vendim më i prerë mund të pritet gjatë ditëve të ardhshme, por ai do të varet shumë nga Beogradi i cili deri tash u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës të mos jenë pjesë e institucioneve të vendit dhe ka kundërshtuar propozimin që gjeneral Çeku të jetë kryeministër. //rd//