Vlera e aksioneve të firmës telefonike BellSouth u rrit dukshëm ditën e hënë pasi kjo kompani pranoi oferën për blerje nga korporata e telekomunikimeve AT&T. Çmimi prej 67 miliardë dollarë ishte shpallur në fund të javës së kaluar. Ky bashkim do të krijojë një gjigand telekomunikimesh me vlerë ardhurash prej mbi 120 miliardë dollarësh. Por siç vihet në dukje, bashkimi i këtyre dy firmave ka filluar të shqetësojë disa grupe konsumatorësh.
Firma AT&T kishte monopolin e telekomunikimeve deri në vitin 1984, kur qeveria amerikane dha urdhër për ndarjen e kësaj kompanie në 7 firma rajonale dhe në një kompani për lidhje ndërkombëtare. Ideja ishte për të nxitur konkurencën, por tani firma ka shpallur plane për blerjen e një prej këtyre kompanive rajonale, BellSouth të Alabamës.
Presidenti i BellSouthit, Tom Hamby thotë se konsumatorët do të përfitojnë nga një hap i tillë. “Së pari, procesi i bashkimit do të marrë rreth 12 muaj kohë, por mendoj se konsumatorët do të përfitojnë shumë gjëra, përfshi shërbime të reja më të sofistikuara, e më shumë konkurencë, gjë që sjell çmime më të ulta. Mendoj se këto janë përfitime me vlerë për klientët në Alabama”
Arsyeja që qeveria tani mund të lejojë zbatimin e marrëveshjes është se zhvillimi i shërbimeve telefonike pa kabllo dhe i shërbimeve të shpejta në internet kanë ndryshuar rrënjësisht natyrën e telekomunikimeve gjatë viteve të fundit. “Sot ne nuk konkurojmë drejt përdrejt me firmën AT&T, por konkurojmë me kompani të mëdhe të transmetimeve kabllore, që merren me transmetime televizive dhe tani ato janë të interesuara të bashkëpunojnë me firmat e telekomunikimeve për transmetimin e videove”, thotë presidenti i firmës BellSouth. Analisti Tom Watst thotë se marrëveshja duket e arsyeshme. “Sa më e madhe aq më e mire. Firmat e vogla kanë kosto të lartë dhe nuk janë konkuruese. Ato nuk kanë mundur të ulin çmimet ndërkohë që konkurenca është rritur.”
Por disa përkrahës të konsumatorëve kanë shprehur shqetësime se ky bashkim mund të çojë në rritjen e çmimeve, nëse AT&T lejohet përsëri të kontrollojë një pjesë të madhe të telekomunikimeve në Shtetet e Bsshkuara. Gene Kimelman është me grupin e Bashkimi i Konsumatorëve. “Ne po humbasim konkurencën që çoi në uljen e çmimeve të thirrjeve telefonike dhe mendoj se koha e uljes së çmimeve tashmë ka kaluar". Me bashkimin e firmave, do të mbyllen deri në 10 mijë vende pune. Qeveria federale e ka miratuar marrëveshjen. Në se kjo marrëveshje vihet në zbatim, disa analistë thonë se firmat rivale të AT&T mund të nxiten të bashkojnë forcat, për t’u bërër të afta për konkurencë. //rd//