Lidhje

Daci: Pranoj të largohem në se grupi parlamentar i LDK-së voton kundër


Kryetari i Parlamentit të Kosovës Nexhat Daci, në një konferencë për shtyp që dha të martën në Prishtinë, la të hapur mundësinë e largimit nga detyra, në se këtë ia kërkon partia që ai përfaqëson. Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kërkuar zëvendësimin e zotit Daci me nënkryetarin e partisë Kolë Berisha. Intervistë e Kryetarit të Parlamentit të Kosovës Nexhat Daci me Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, cili është qëndrimi juaj në raport me kërkesën që ju ka paraqitur partia për t’u larguar nga posti i kryetarit?

Nexhat Daci: Dua të theksoj që kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shkelur statutin e partisë, pasi kryesia është vetëm ekzekutivi i partisë, ndërsa politikën e LDK-së e bën Këshilli i Përgjithshëm me kryetarin e partisë dhe kryesinë. Kjo nuk është respektuar. Por edhe në atë përbërje nuk ka të drejtë partia të marë vendim, por ka të drejtë, të iniciojë procedurën e zëvendësimit të kryetarit të parlamentit, me ndonjë anëtar tjetër. Ky propozim do të shkonte në grupin parlamentar të LDK-së, i cili do të debatonte dhe vendoste me anë të votës. Propozimi i grupit parlamentar do të shkonte në seancë plenare në kuvend, atje ku është bërë edhe zgjedhja e kryetarit të parlamentit dhe atje ku do të bëhet edhe zëvendësimi, ose shkarkimi i kryetarit të parlamentit.

Zëri i Amerikës: Pra, zoti Daci, sipas jush kemi të bëjmë me një çështje proceduriale. Në qoftë se grupi parlamentar i LDK-së mblidhet në ditët e ardhshme dhe ju kërkon dorëheqjen, ju a do të pranonit të jepnit dorëheqjen?

Nexhat Daci: Në qoftë se grupi parlamentar me anë të votës, vendos ta bëjë zëvendësimin, unë do ta respektoj vullnetin e grupit parlamentar. Dua t’ju rikujtoj këtu, që para tre javësh, i njejti grup parlamentar, në një mocion të inicuar nga opozita, më dha një përkrahje të fuqishme, prandaj do të dukej qesharake që për tre javë, kryetari i parlamentit të ketë ndryshuar aq shumë sa për ta zëvendësuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, që pas vdekjes së Presidentit Rugova, LDK-ja ka mbetur pa kryetar. Ju sot theksuat se nuk do të largoheni nga kjo parti. Sa të thella janë përçarjet brenda LDK-së? Pas përplasjeve për postin tuaj, a pritet të shohim një ndarje të LDK-së?

Nexhat Daci: Tani duket se po ndodh një fillim i tillë, por ne do të bëjmë çmos, që të ruhet Lidhja Demokratike, pasi në një mënyrë është partia më e vjetër demorkatike në Evropën Juglindore. Ajo ka 16 vjet traditë dhe po të kishte ndonjë ndarje në LDK atëhere procesi politik në Kosovë do të pësonte destabilizim. Ne do të mundohemi në maksimum ta shmangim këtë çështje pasi jemi në momentin historik për përcaktimi e statusit të Kosovës dhe nuk do të guxonim t’i jepnim luks vetvetes që të lejojmë një përçarje të tillë.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci ka analistë që thonë se lufta e fundit e brendshme lidhet pikërisht me postin e kryetarit të LDK-së. Sot kur Kosova ka filluar negociatat për statusin, sa do të ndikojë kjo luftë për pushtet për përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për aspiratën e tyre, krijimin e një shteti të pavarur?

Nexhat Daci: Unë do të mundohem me të gjithë forcën politike dhe intelektuale për të minimizuar efektin e destabilizimit politik dhe të humbjes së shansit historik, që gjenerata të tëra në Kosovë luftuan, veçanërisht me luftën e UÇK-së dhe të popullit të Kosovës. Ngjarjet e fundit nuk do të jetë pa efekte të vogla dhe do t’i minimizojmë me çdo kusht. Unë kam një përkrahje të madhe nëpërmjet postës elektronike, nëpërmjet letrave, nëpërmjet deklarimeve. Do të mundohem që nëpërmjet kolegëve të mi, miqve të mi në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ta evitojmë një çështje të tillë sepse historia nuk do të na falë kurrë.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci a mendoni se pjesa e LDK-sës që kërkon shkarkimin tuaj i ka votat e mjaftueshme?

Nexhat Daci: Jo, nuk i ka në asnjë mënyrë. Por përdoren metoda të frikësimit të njerëzve duke i kushtëzuar me poste minisitrore, me largime nga puna, por unë mendoj, që është një numër i njerëzve që nuk kanë patur verifikim demokratik asnjëherë, nuk i janë nënshtruar elektoratit. Mendoj se shumica e elektoratit të LDK-së është e atillë që të ruhet koncepti burimor i Lidhjes Demokratike, i inicuar me presidentin e ndjerë Rugova dhe po të ishte nuk do të kishte ndodhur një gjë e tillë. Është krejtësisht normale kur në një mënyrë ideatori, ose emblema e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe e Kosovës mungon për çështje të njohura nga Zoti, atëhere lindin orekse të njerëzve, kuptohet me mundësi më të kufizuara, por me orekse të mëdha. Është detyra e jonë, e një numri të madh të njerëzve që jemi 16 vite në Këshillin e Përgjithshëm që bën politikën e LDK-së, që vërtetë të mos ta trondisim LDK-në dhe t’i nënshtrohemi një procedure krejtësisht demokratike në zgjedhjet që afrohen në qershor dhe të shpëtohet anija e LDK-së. //rd//

XS
SM
MD
LG