Lidhje

Hagë: Vdes ish presidenti Sllobodan Millosheviç


Ish presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç u gjet i vdekur në qelinë e tij në Gjykatën e Hagës.

Në një deklaratë që nxorri sot gjykata thuhej se trupi pa jetë i Millosheviçit u gjet në shtratin e tij. Zyrtarët thonë se mesa duket ai ka vdekur nga shkaqe natyrore, megjithatë është urdhëruar një autopsi e plotë si dhe analiza toksikologjike.

64-vjeçari Milloseviç po i nënshtrohej gjykimit që nga shkurti i vitit 2002 për më shumë se 60 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në konfliktet e Ballkanit. Gjykimi i tij ishte ndërprerë shumë herë për shkak të gjendjes së tij të dobët shëndetësore shkaktuar nga sëmundja e zemrës dhe tensioni i lartë.

Milloseviçi u bë president i Serbisë në vitin 1989 dhe më vonë u fajësua për agresionin ushtarak dhe politikat e spastrimit të egër etnik pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve 90. Ai është akuzuar për krime të njëjta në Kosovë dhe Kroaci pasi u bë president i Jugosllavisë në vitin 1997.

Në vitin 2000, ai humbi garën në zgjedhjet presidenciale por hoqi dorë nga pushteti vetëm pas grevave dhe demonstratave masive. Millosheviçi u arrestua në vitin 2001 dhe iu dorëzua Gjykatës së Hagës.

Millosheviçi ishte i pari kryetar shteti që gjykohej në një gjykatë ndërkombëtare për krime lufte.

XS
SM
MD
LG