Lidhje

Ish presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviç, varroset në qytetin e tij të lindjes


Ish presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviç, u varros dje në kopshtin e shtëpisë së tij në qytetin Pozharevac, në afërsi të Beogradit.

Qeveria serbomalazeze i mohoi Millosehviçit funeralin shtetëror, por rreth 80 mijë nacionalistë serbë morën pjesë në një ceremoni të organizuar në një shesh të Beogradit, ku ishte vendosur arkivoli me trupin e tij i mbështjellë me flamur dhe i rrethuar nga ish oficerë ushtarakë.

Disa prej pjesëmarrësve në këtë ceremoni, mbanin fotografi të Radovan Karaxhçit dhe Ratko Mlladiçit, ish udhëheqësit e serbëve të Bosnjës, të cilët kërkohen nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte të kryera gjatë luftrave në ish-Jugosllavi në vitet 1990.

Mijëra përkrahës të tjerë të zotit Millosheviç u mblodhën për të marrë pjesë në shërbimet e përmortshme në Pozharevac.

Asnjë nga anëtarët e familjes së ngushtë nuk ishin të pranishëm në funeral. Bashkëshortja dhe djali i zotit Millosheviç jetojnë në mërgim në Rusi dhe nuk u kthyen për varrimin e tij nga frika se do të arrestoheshin nën akuzat që rrjedhin nga regjimi 13 vjeçar i Millosheviçit.

XS
SM
MD
LG