Lidhje

Dilemat mbi investimet e huaja në SHBA


Përpjekjet e një kompanie të Emirateve të Bashkuara për të blerë një firme britanike e cila drejton disa operacione në portet amerikane, ka rihapur debatin mbi investimet e huaja në Shtetet e Bashkuara. Kundërshtarët e investimeve të tilla, thonë se ato mund të rrezikojnë sigurinë e vendit. Por investimet në Shtetet e Bashkuara nga vendet arabe të pasura me naftë bëhen në forma të ndryshme dhe prej tyre përfitojnë të dyja palët.

Vendet prodhuese të naftës nga Lindja e Mesme, të mbytur në rezerva parash ndërsa çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm muajt e fundit, kërkojnë gjithnjë e më shumë të gjejnë mundësi fitimprurëse investimi në Shtetet e Bashkuara, për të vënë në qarkullim ato që njihen si petrodollarët. “Ata kërkojnë shkallë fitimi sa më të larta, me investime sa më pak të rrezikshme,” thotë Monty Graham, analist i Institutit për Ekonominë Ndërkombëtare në Washington. "Investimet e huaja të drejtpërdrejta, thotë zoti Graham, në përgjithësi sjellin përfitime të qëndrueshme, që përfshijnë ndonjëherë transferimin e teknologjisë, përmirësimin e prodhimtarisë dhe që sjellin përfitime indirekte për gjithë ekonominë."

Sipas shifrave të qeverisë amerikane, në vitin 2004, vlera e investimeve të huaja në arrinte në gati 9 trilionë dollarë. Nga këto, vendet eksportuese të naftës në Lindjen e Mesme kanë një përqindje të vogël, përfshi rreth 120 miliardë dollarë në bonot e thesarit, si dhe aksione të korporatave dhe pasuri të patundshme. "Preferenca e investitorëve nga Lindja e Mesme duket se është për investime në pasuritë e patundshme. Kjo për dy arsyje – pasuria e patundshme kthehet shpejt në para, pra mund të shitet me lehtësi, dhe ofron një fitim të konsiderueshëm, me pak rrezik."

Zoti Graham thotë se Investimet e Huaja të Drejtpërdrejta zakonisht rezultojnë në krijimin e vendeve të punës me paga të larta në Amerikë. Por investimet e huaja të drejtpërdrejta ngrenë gjithashtu shqetësime për sigurinë kombëtare, siç ishte rasti i marrëveshjes me kompaninë e Dubait për menaxhimin e porteve, kur bëhet fjalë për atë që quhet infrastruktura kritike. Këtë shqetësim e shton edhe deficiti tregëtar në rritje.

Shtetet Bashkuara njoftuan vitin e kaluar për një defiçit tregëtar prej 726 miliardë dollarësh, i cili po rritet. Në kontrast, vendet eksportuese të naftës nga Lindja e Mesme gëzojnë një sufiçit tregëtar në rritje. Kur vendet importojnë në shumë sesa eksportojnë, ashtu siç ka ndodhur me Shtetet e Bashkuara, ato bëhen më të varura në investimet e kapitalit të huaj, dhe kjo mund të jetë shqetësuese. "Për shkak të deficitit tregëtar, Shteteve të Bashkuara u duhet të tërheqin rreth 800 miliardë dollarë në vit nga jashtë. Investimet nga Lindja e Mesme nuk janë një pjesë e madhe e kësaj shume, por ne jemi në një pozitë të tillë, ku sado pak investim ndihmon dhe është i nevojshëm," thotë zoti Graham.

Megjithë vëmendjen që ka tërhequr javët e fundit, për momentin niveli i dollarëve të naftës arabe në Shtetet e Bashkuara është i ulët. Në fillim të 2005-ës investitorët nga vendet arabe kishin vetëm 4 miliardë dollarë të investuar drejtpërdrejtë në Shtetet e Bashkuara. Për kontrast, investitorët britanikë kanë 252 miliardë dollarë investime. //ad//

XS
SM
MD
LG