Lidhje

Zëvendës Kryenegociatori Rohan kërkon kompromis për decentralizimin në Kosovë


Zëvendës Kryenegociatori ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Albert Rohan, tha sonte në Prishtinë se negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit synojnë të arrijnë zgjidhje kompromisi për decentralizimin e pushtetit në Kosovë. Ai i bëri këto komente pas takimit me ekipin e negociuesve të Prishtinës, me të cilët ka debatuar përgatitjet për raundin e tretë të bisedimeve që do të mbahen të hënën, me tre prill, në Vjenë të Austrisë.

Ai tha se në këtë takim do të diskutohet në mënyrë më të gjithanshme për decentralizimin, përkatësisht për çështjet e përfshira në një dokument pune që u është dhënë të dyja palëve dhe që do të jetë bazë e negociatave në Vjenë.

Dokumenti përfshin pajtimet, por edhe mospajtimet e shprehura në dy raundet e para të bisedimeve. Palët kanë mbajtur qëndrime të kundërta lidhur me përgjegjësitë e komunave të reja, lidhjet ndërmjet tyre dhe ato me Beogradin si dhe financimin e tyre.

Dokumenti i hartuar nga zyra e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë parasheh mundësinë që komunat e reja të krijojnë struktura ndërkomunale të bashkëpunimit. Jo zyrtarisht, thuhet se dokumenti parasheh edhe mundësinë e krijimit të lidhjeve të caktuara të Beogradit me komunat serbe në fusha të caktuara, siç janë arsimi, mbrojtja shëndetësore dhe kultura.

Po ashtu, dokumenti përfshin veçanti në mënyrën e financimit të komunave të reja. Diplomati Rohan nuk deshi të komentojë hollësitë e dokumentit, i cili përfshin çështje në të cilat pajtimi nuk duket aspak i lehtë.

Pjesë e bisedimeve është edhe fakti që të gjitha palët nuk mund të pajtohen për gjithçka menjëherë. Natyra e negociatave është që të gjinden zgjidhje të kompromisit”, tha zoti Rohan.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha ndërkaq se ekipi i negociuesve do të analizojë pikëpamjet e shprehura të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, por pa komentuar përmbajtjen e dokumentit...

Prishtina zyrtare ka kundërshtuar deri tash idetë për krijimin e lidhjeve të posaçme ndërmjet komunave serbe, duke shprehur shqetësimin se kjo do të çonte në ndarje të tërësisë tokësore të Kosovës.

Zoti Rohan tha ndërkaq se hollësitë rreth procesit të decentralizimit do të jenë pjesë e negociatave që në të ardhmen do të zgjerohen, për të përfshirë edhe çështjet që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore e fetare, të drejtat e pakicave, aspektet ekonomike dhe praninë ndërkombëtare në Kosovë.

Gjatë vizitës në Kosovë, ai pritet të qëndrojë edhe në qytetin verior të Mitrovicës, i cili edhe shtatë vjet pas përfundimit të luftës vazhdon të mbetet i ndarë në dy pjesë, në Veriun e banuar me shumicë serbe dhe Jugun me shumicë shqiptare.

Në këtë qytet, që është bërë simbol i ndarjeve etnike, zoti Rohan pritet të përcjellë porositë se Prishtina duhet ta përmirësojë trajtimin e pakicës serbe në Kosovë, ndërkaq që këta të fundit duhet t'i bashkëngjiten procesit për përcaktimin e së ardhmes së Kosovës.//lk

XS
SM
MD
LG