Lidhje

Ndalimi i duhanit në vende publike - si ndikon kjo fushatë në ritmet e pirjes së duhanit


Në Calabasas, një qytezë e vogël pranë Los Angelosit, filloi të zbatohet një formë e rreptë e ndalimit të duhanit, më e rrepta deri tani në Amerikë. Kryetari i bashkisë së qytetit thotë se njerëzit nuk kanë fare të drejtë të pijnë duhan. Ndalimi i duhanit është pjesë e një prirjeje në rritje në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Kjo prirje duket se po jep efekte në rënien e numrit të atyre që pijnë duhan si dhe në konsumin e cigareve.

Calabasasi është i fundit në më shumë se 2 mijë qytete amerikane që e kanë ndaluar duhanin, por ligji këtu është më i fortë se kudo – duhani ndalohet në të gjitha vendet publike, jashtë dhe brenda. Kryetari i bashkisë, Barry Groveman thotë se njerëzit kanë të drejtë të thithin ajër të pastër. "Nuk ekziston e drejta për të pirë duhan. Ekziston e drejta e mbrojtjes së sigurisë publike," thotë ai.

Amanda Schwartz nuk është dakord. "Kjo është antikushtetuese sepse njerëzit duhet të kenë të drejtë të bëjnë çfarë të duan përsa kohë që nuk dëmtojnë dikë tjetër."

Mbrojtësit e ndalimit të duhanit thonë se thithja e tymit të duhanit të të tjerëve dëmton ata që nuk e pijnë. Prandaj ndalimi i duhanit duket se po ndihmon në parandalimin e këtij dëmi. Në 2005-ën, shitjet e cigareve në Shtetet e Bashkuara ishin më të ultat në 55 vjet. Zyrtarët e shëndetësisë ia atribuojnë këtë rënie në pjesën më të madhe fushatave dhe politikave kundër duhanit.

Stanton Glantz është mjek në qendrën kërkimore për luftën kundër duhanit: "Kur e ndalon duhanin në punë, në vendet publike, në restorante dhe bare, njerëzit pijnë më pak dhe prandaj shiten më pak cigare."

Por a i bën ndalimi i duhanit njerëzit që ta lenë atë? Përgjigja duket të jetë, PO. Një numër studimesh tregojnë se ndalimi i duhanit i dekurajon fëmijët të fillojnë të pijnë, ul numrin e cigareve që pijnë njerëzit çdo ditë dhe i bën njerëzit ta lenë duhanin.

David Spalding kishte 20 vjet që pinte duhan por e la atë kur punëdhënësi i tij, kompania e sigurimeve shëndetësore Blue Cross/Blue Shield në Minesota e ndaloi pirjen e duhanit përreth zyrave të saj. Ai thotë se nuk do ta kishte lënë duhanin po të mos ishin rregullat e reja që e ndalonin atë. "Nuk doja të merrja makinën për të shkuar diku ku mund të pija duhan. Kjo ishte e gjitha." Spalding nuk është i vetmi, sipas nënpresidentit të kompanisë Marc Manley. "Kur vendosëm këtë rregull, rreth 18 përqind e punonjësve pinin duhan. Pas një viti, niveli ra në 15 përqind," thotë z.Spalding.

Prirja për të ndaluar duhanin është përhapur tani edhe në Evropë. Dy vjet më parë Irlanda vendosi ndalimin e duhanit në pabet legjendare të saj ndërsa Britania do të bëjë të njëjtën gjë së shpejti. Megjithëse numri i njerëzve që pijnë duhan në vendet e zhvilluara po bie, ai është në rritje në vendet në zhvillim. Duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë - prej tij vdesin rreth 5 milion njerëz në vit. //ad//

XS
SM
MD
LG