Lidhje

Përpjekje të ushtrisë shqiptare për të përmirësojë komunikimin me forcat e Aleancës


Reformimi i ushtrisë shqiptare sipas kritereve të NATO-s krahas çështjeve teknike, po ndeshet edhe me vështirësi të komunikimit. Gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, gjuhët dhe kultura perëndimore ishin një tabu e ndëshkueshme. Ndërsa tani për ta kapërcyer këtë sfidë të komunikimit është hapur në Tiranë edhe një shkollë e posaçme, ku qindra ushtarakë shqiptarë po mësojnë gjuhët e huaja të pothuaj gjithë vendeve anëtare të Aleancës.

Kjo shkollë e mirëfilltë e gjuhëve të huaja është shndërruar në një prej mbështetjeve më të rëndësishme për ushtrinë shqiptare gjatë procesit të reformimit. Vendosur pranë Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, mjediset e Qendrës së Gjuhëve të Huaja janë çdo ditë të mbushura plot me dhjetra studentë, nënoficerë e oficerë që vijnë për të përsosur më tej sidomos gjuhën angleze.

"Në Akademinë tonë kemi një Qendër të Gjuhëve të Huaja që është e veçantë. Asistente kryesore aty janë SHBA me ekspertët e tyre që na kanë mbështetur vazhdimisht. Kemi organizuar kurse speciale për arritjen e standarteve, njohjes dhe përmirësimit të gjuhës angleze. Jo vetëm Ministria e Mbrojtjes, por edhe forcat e armatosura kuptojnë thelbin që gjuha angleze është gjuha me të cilën do të komunikohet dhe bashkëpunohet për problemet e rëndësishme të sigurisë në rajon dhe më gjerë." - thotë zëvendës-ministri i mbrojtjes, Petrit Karabina.

Këta studentë e dinë tani fare mirë se njohja sa më e plotë e gjuhës kryesore të NATO-s do t'i ndihmojë ata të ngjitin shkallët e karrierës ushtarake, si edhe vendin e tyre t'i afrohet standarteve të Aleancës veriatlantike. Drejtoresha e kësaj Qendre, Shqiponja Dautaj, thotë se aktualisht aty po përgatiten 18 grupe mësimore me disa qindra ushtarakë të gradave të ndryshme, mes të cilëve edhe studentë të Universitetit Ushtarak "Skënderbej".

"Suksesi qëndron në atë që, nëse para dy vjetësh këtu testonim studentët me një test amerikan, ne sot krahas këtij testi, bëjmë testime edhe sipas standartit të NATO-s, i cili quhet STANAG 6001. Ky provon studentët në të katër aftësitë: në të folur, në të shkuar, në të dëgjuar dhe në të lexuar. Një numër i madh i forcave të armatosura njohin mjaft mirë gjuhën angleze dhe natyrisht kjo është një domosdoshmëri për të përshpejtuar edhe hyrjen me dinjitet në NATO dhe në strukturat euro-atlantike." - thotë zonja Dautaj.

Shumica e studentëve synojnë nivelin e tretë, atë më të lartin e përgatitjes në anglisht, dhe për këtë zhvillohen shumë orë mësimi dhe provimesh. Majori Behar Mara ka qenë për gjashtë muaj komandant i të parit kontigjent special shqiptar, që u vendos në Kabul të Afganistanit disa kohë më parë. Ai thotë se trupat e zgjedhura shqiptare nuk kishin vështirësi komunikimi me kolegët amerikanë, britanikë apo turq të këtij misioni.

"Trupat tanë ishin tepër të përgatitur për të kryer detyrat paqeruajtëse në Afganistan, në Kabul; në një nga zonat më të rrezikshme për atë kohë. Nuk ishte e lehtë për trupat shqiptare të kryenin detyra të tilla por shkalla e lartë e përgatitjes e rriste më shumë besimin për të përmbushur detyra të vështira. Detyrat që kryente kontigjenti shqiptar ishin të njëjta me kontigjentet e tjera. Ishim të barabartë edhe në detyra edhe në komunikim." - thotë major Mara.

Zëvendës-ministri i mbrojtjes, Petrit Karabina, thotë se shteti dhe ushtria shqiptare po i plotësojnë me reforma dhe punë këmbëngulëse kriteret e anëtarësimit në NATO, ç’ka përbën një çështje parësore për shoqërinë shqiptare. "Forcat e armatosura të Republikës dhe Shqipëria do të ftohen në NATO, kur ajo të jetë e aftë dhe në standartet e Aleancës. Ne besojmë se kemi arritur standarte të përafërta me vendet aleate të NATO-s. Një shembull konkret për këtë pohim është pjesëmarrja jonë në misionet paqeruajtëse në Irak, Afganistan dhe në Bosnje. I gjithë kontigjenti ynë është i përgatitur të përballojë me komunikim të gjuhës angleze të gjithë detyrat që ka për të realizuar në këto vende." - thotë zoti Karabina.

Shqipëria shpreson të marrë një ftesë për anëtarësim të plotë në NATO në takimin e ardhshëm të zgjerimit në vitin 2008, ndërsa ecuria e reformave ushtarake dhe institucionale të saj po vlerësohet gjithnjë e më shumë, si nga udhëheqësit e Aleancës, edhe nga vendet anëtare të veçanta. //az//

XS
SM
MD
LG