Lidhje

Departamenti i Shtetit: 5 shtetasit kinezë nuk përbëjnë kërcënim sigurie


Tensionimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës për cështjen e 5 kinezëve të etnisë ujgure, të cilët ndodhen në Tiranë ku kanë kërkuar strehim politik, pasi u liruan nga burgu Guantanamo i Kubës, ka dhënë shenjat e para. Vizita e një zëvendësministri kinez e parashikuar këto ditë në Shqpëri është anulluar, ndërsa sipas mediave të këtushme, autoritetet e Pekinit kanë fshirë takimet që do të zhvilloheshin me zëvendësministrin shqiptar të ekonomisë Eno Bozdo dhe Drejtorin e Përgjithshëm të doganave të cilët ndodhen aktualisht në Kinë. Të 5 kinezët e etnisë ujgure mbërritën në Shqipëri pas kërkesës së qeverisë amerikane. Tirana ka nisur procedurat për statusin e azilantit politik. Por Pekini e ka pritur me zemërim këtë vendim pasi i konsideron të 5 ish të burgosurit si terroristë dhe ka kërkuar ekstradimin e tyre. Sipas Pekinit, Shtetet e bashkuara dhe Shqipëria kanë shkelur ligjet dhe konevntat ndërkombëtare si dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Nd[rkaq, Departamenti i Shtetit vlerëson gatishmërinë e Shqipërisë për të pranuar si refugjatë pesë shtetasit kinezë të etnicitetit ujgur. Këshilltari ligjor pranë zyrës për krimet e luftës në Departamentin e Shtetit, Sem Uiten, e cilëson këtë gjest si një akt humanitar, dhe shenjë e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Zoti Uiten i bëri këto komente në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë së cilës theksoi se procesi hetimor para lirimit të pesë shtetasve kineze arriti në përfundimin se ata nuk përbëjnë kërcënim për Shtetet e Bashkuara apo aleatët e tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti Witen, si u arrit marrëveshja me qeverinë shqiptare për pranimin e pesë shtetasve kinezë që u liruan nga burgu i Guantanamos.

Sem Uiten: Shtetet e Bashkuara u kërkuan një numër vendesh në botë të pranonin këta shtetas kinezë me etni ujgur. Kemi zhvilluar kontakte diplomatike me vende evropiane dhe të pjesëve të tjera të botës. Ndër vendet që iu drejtua kërkesa ishte edhe Shqipëria dhe jemi shumë të kënaqur që Shqipëria pranoi. Kjo është shenjë e marrëdhënieve tona shumë të mira me Shqipërisë dhe qeveria shqiptare ra dakord t’i pranojë pesë shtetasit kinezë si refugjatë.

Zëri i Amerikës: Qeveria kineze ka ngritur akuza se këta individë janë terroristë. A janë reale akuzat? A ka vend që qeveria shqiptare të shqetësohet lidhur me akuzat?

Sem Uiten: Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara zhvilloi një proces të hollësishëm hetimor lidhur me këta pesë individë dhe arriti në përfundimin se ata nuk janë luftëtarë armiq dhe se aktualisht nuk paraqesin rrezik për Shtetet e Bashkuara apo aleatët e tyre. Pasi u arrit ky përfundim, filluan kontaktet me qeveritë e tjera për të gjetur një vend të përshtatshëm për t’i dërguar ata.

Zëri i Amerikës: Përse nuk iu ofrua pesë shtetasve kinezë azil politik në Shtetet e Bashkuara, në qoftë se mendohet se ata do të jenë në rrezik persekutimi nëse kthehen në Kinë?

Sem Uiten: Shtetet e Bashkuara zakonisht i riatdhesojnë shtetasit e huaj në vendin e shtetësisë. Por ka edhe raste kur është më me vend që të dërgohen në vende të tjera. Shtetet e Bashkuara vendosën se dërgimi i tyre në një vend të tretë do të ishte zgjidhja e duhur dhe Shqipëria përmbushte kërkesat tona përsa u përket shoqërisë ku ata do të vendosen, si vend me tolerancë fetare. Shqipëria u tregua e gatshme t’u jepte statusin e refugjatëve, pra ishte një zgjidhje shumë pozitive.

Zëri i Amerikës: Përse pikërisht në Shqipëri po shqyrtohet kërkesa e tyre për azil politik.

Sem Uiten: Shqipëria është një vend që angazhohet me seriozitet në zbatimin e lirive të individit. Në Shqipëri këta individë do të kenë mundësi të ndjekin lirisht besimin e tyre, pra ishte një zgjidhje shumë pozitive dhe Shtetet e Bashkuara ndjehen shumë të kënaqura që bashkëpunojnë me Shqipërinë në këtë çështje. //ad//

XS
SM
MD
LG