Lidhje

Mali i Zi në prag të referendumit


Në Mal të Zi zhvillohet te dielen referendumi për të vendosur në se kjo republikë do të qendrojë në një federatë me Serbinë, apo do të bëhet një shtet i ri i pavarur. Analistët perëndimorë, thonë se pavarësisht nga rezultati, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, është tek integrimi i tij me Evropën moderne.

Të djelën, malazezët votojnë për të ardhmen e republikës së tyre. Pyetja e vetme në referendum është: “A dëshironi që Republika e Malit të Zi të jetë shtet i pavarur?” Në se 55 përqind e votuesve i përgjigjen PO pyetjes, rezultati do të njihet nga komuniteti ndërkombëtar.

Analistët perëndimorë përgjithësisht bien dakort se u takon malazezëve të vendosin në se duan apo jo të shkëputen nga bashkimi federal me Serbinë. Hele Dale, është analiste politike me fondacionin Heritage.

“Nuk mendoj se ato do të qëndojnë bashkë, në se Mali i Zi nuk e dëshiron një gjë të tillë. Ky vend duhet të ketë të drejtë të shkëputet, ashtu si edhe republikat e tjera të ish Jugosllavisë. Mali i Zi ka qëndrime të tjera nga Serbia dhe qeveria dëshiron t’i japë vendit një drejtim tjetër.”

Zonja Dale, thotë se kampi pro-pavarësisë këmbëngul se Mali i Zi ka mbetur pas si rezultat i lidhjeve me Serbinë. Ajo ve në dukje se Serbia është dëmtuar rëndë nga forcat nacionaliste, që sipas saj, e kanë mbajtur Serbinë të mbërthyer në shekullin e 19-të. Zonja Dale thotë se nacionalizmi serb, ishte një prej shkaqeve që çuan në katër luftrat ballkanike brenda 10 vjetësh. Nacionalizmi, thotë ajo, e ka çuar vendin në buzë të varfërisë, duke e izoluar për një farë kohe nga komuniteti ndërkombëtar.

Kohët e fundit Bahskimi Evropian i pezulloi bisedimet e integrimit me Serbinë, pasi Beogradi nuk arriti të arrestonte të kërkuarin për krime lufte Ratko Mlladiç. Zonja Dale thotë se fajin e ka qeveria e Serbisë.

“Mendoj se ka njerëz që e mbrojnë. Është e qartë se qeveria e Serbisë po luan një lojë të dyfishtë. Nuk besoj se është aq e vështirë për ta kapur.”

Analistja Dale thekson se Mali i Zi ka bashkëpunuar me gjykatën e Hagës për Krimet e Luftës dhe se ai ishte vendi i parë ballkanik që kërkoi ndjesë për rolin e tij në luftrat që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë. Sipas Bashkimit Evropian, Mali i Zi, është shumë më përpara se Serbia në procesin e reformave të brendshme.

Ambasadori Marc Grossman, ish zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, thotë se vendimi i popullit të Malit të Zi duhet respektuar.

“U takon dy palëve të vendosin. Ne shpresojmë që procesi do të jetë paqësor. Le të presim çfarë do të ndodhë të djelën.”

Ambasadori Grossman thotë se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të qëndrojnë të angazhuara në Ballkan, pavarësisht nga rezultati i referendumit në Mal të Zi.

“Është e domosdoshme që Bashkimi Evropian të vazhdojë politikën e sukseshme të zgjerimit. Është e domosdoshme që Shtetet e Bashkaura të vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje rajonit. Në se popujt e rajonit, pavarësisht nga gjeografia dhe politikat, në se ato kanë si synim të jenë pjesë e institucioneve transatlantike, atëhere pasojat do të ishin pozitive dhe jo negative.”

Sipas regjistrimit të vitit 2003, popullsia e Malit të Zi është 670 mijë. Popullsia e Serbisë është rreth 10 milionë. Bashkimi i Serbisë dhe Malit të Zi, është gjithshka ka mbetur nga federata me 6 republika e ish Jugosllavisë.

XS
SM
MD
LG